“Pazari” që nuk bëhet pa opozitën parlamentare

Nga Mero Baze

Të gjitha palët, përveç shumicës, po përgjojnë se kush do jetë pazari me shumicën dhe kujt do t’i jepet ky pazar. Partia Demokratike po përpiqet t’i mbajë gjallë ende mbështetësit e vet me gënjeshtrën e radhës, që do ketë zgjedhje shumë shpejt, dhe do të jenë edhe parlamentare, edhe lokale. Tani jo se ata të dëshpëruarit e besojnë atë që u thotë Basha, por janë gati t’ia thonë dhe vetes që duan një pazar që të mos shkrihen fare.

Loading...

LSI dhe aleatët e PD, duken edhe më të tërbuar. Ilir Meta pasi shpëtoi një mace që në pikë të mëngjesit, në drekë u kujtua të shpëtonte demokracinë dhe botoi një fjalim të tij të vitit 2008, kur ishte kundër pazarit Rama- Berisha për ndryshimet kushtetuese. Në fakt, është e vetmja periudhë kur LSI ishte me të drejtën, por që më pas, kur bëri koalicion me Berishën, e deri më sot, është mbrojtësja më e madhe e sistemit elektoral që prodhoi marrëveshja Rama- Berisha.

Por në gjithë këtë histori ku flitet për marrëveshje të mundshme për ndryshime në Kodin Elektoral për ndryshime kushtetuese etj, të gjithë harrojnë që faktori i vetëm politik që i bën të mundshme ato, është opozita parlamentare.

Gjuha e baltës që Lulzim Basha vazhdon të përdorë ndaj tyre dhe nënvleftësimi që Rama shpesh bën sikur i ka të sigurtë, mund të zhbëjnë çdo pëprjekje për reforma, nëse i anashkalon ata.

Fakti që SHBA dhe Bashkimi Europian i respekton ata dhe mban të hapur komunikimin me ta, ka të bëjë mes të tjerash me faktin se në këtë vend nuk bëhet dot asgjë, nëse nuk duan ata.

Lulzim Basha mund të ulet në tryezë me Edi Ramën, mund të marrë çfarë do ai, apo çfarë do Edi Rama, por ndryshimet do bëhen në Parlament, dhe ato janë në dorë të Rudina Hajdarit dhe grupit të opozitës parlamentare.

LSI dhe aleatet e tjerë të vegjël të PD, mund të kenë kërkesa për ndryshim sistemi, por para se të ulen e t’i bëjnë qejfin njëri- tjetrit, është mirë të ulen e të pinë kafe me depuetët që kanë në Parlament. Biles po ta kishin bërë më parë, mund të shpëtonin dhe shkarkimin e presidentit.

Nëse ka sot një faktor real parlamentar që ka në dorë ndryshimet elektorale dhe kushtetuese e mbi të gjitha, dhe afrimin apo jo të zgjedhjeve parlamentare, se ato lokale janë më 2023, kjo është opozita parlamentare.

Opozita parlamentare është e vetmja që mund të ndalë një marrëveshje “Rama-Basha 2” dhe jo postimet e Ilir Metës me qen, mace, Çim Pekën dhe me brekë nëpër male.

Opozita parlamentare është e vetmja që mund të diktojë shumicën për një reformë elektorale më të ndershme, për t’i hapur rrugë vetes të hyjë në politikë.

Opozita parlamentare është e vetmja forcë reale që mund të kthehet në urë komunikimi mes opozitës së rrugës dhe qeverisë.

Përpjekja për ta injoruar atë dhe për të bërë lidhje të shkurtër mes dy palëve, mund të rezultojë një dështim.

Para se Lulzim Basha t’i çojë emisarë Edi Ramës, është mirë të thërrasë për kafe deputetët e listës së tij, që i kanë hyrë në Kuvend, e të pajtohet me ta. I duhen më shumë se Fatmir Mediu, Dash Shehi e Nard Ndoka, se pa ata nuk bën dot realitet asnjë ëndërr për ndryshime dhe për zgjedhje.

Para se të gënjejë të vetët, që zgjedhjet do bien nga qielli, apo nga ndonjë i dërguar, është mirë të ulë kokën e t’u kërkojë ndjesë për fyerjet atyre që kanë në dorë sot fatin real të opozitës, për ta rikthyer në sistem.

Ata nuk janë të shantazhueshëm si qeveria. Nuk janë të kapur. Nuk janë të detyruar të dëgjojnë dhe fyerjet e PD, dhe t’i shërbejnë asaj. Ata në fakt janë pjesa më e lirë e politikës shqiptare.

Llogaritë e bëra për pazare me Edi Ramën, janë “pazare pa hanxhinë”.

E vetmja parti opozitare që ka një deputet në Parlament është “Bindja Demokratike”. Të tjerët janë ose duke bërë një parti të tyre, ose disa prej tyre, duke mbështetur “Bindjen”. Por asnjë nuk po shoh ta ketë kokën nga PD, përveç Lefter Maliqit.

Ndaj është mirë që para se të ëndërroni për pazare apo marrëveshje, të bëheni të urtë, të pranoni opozitën që keni çuar vet në Parlament, dhe kur të pajtoheni me ta, të keni fuqinë e duhur për negociata.

Tani keni vetëm çelsat e kashtës. (Tema) /l.m

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button