Me sëpatë e pranga ndaj biznesit, ku po e çojmë ekonominë?

Shqipëria është vendi i paradokseve dhe kontrasteve të mëdha. Për këtë nuk ka ditë që të mos shohim shembuj që të gjithë, nga rutina e përditshme, te ato që na duken ngjarje të mëdha. Aq të shumtë janë paradokset saqë tani edhe ato kanë nisur të mos na bëjnë më përshtypje, të na duken rutinë. Rutinë na duket edhe fakti që kriminelët dalin nga burgu dhe biznesmenët arrestohen si të ishin kriminelë. Përtej çudisë së ditës së parë, askush nuk mendon më gjatë.

Një vend që të zhvillohet duhet të ketë rend, siguri, mirëqënie. Të treja këto janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën, por vijnë nga komponentë të ndryshëm. Mirëqënia është ajo që garanton sigurinë dhe siguria ajo që ndihmon rendin. Për të patur mirëqënie, duhet që njerëzit të punojnë, të kenë punë, të sigurojnë të ardhura dhe të jenë të sigurt se askush nuk i cenon të tashmen dhe të ardhmen. Për mirëqënien garanci është biznesi. Ai hap vende pune, siguron paga, zhvillon shoqërinë.

Loading...

E kundërta ndodh kur mungon mirëqënia, kur biznesi ka probleme, kur ekonomia ecën mbrapsht. Nuk ka vende pune, nuk ka mirëqënie, ka varfëri dhe kriminalitet dhe kriminelët janë më të famshëm dhe më të fortë se qeveritë. Ata thuajse asnjëherë në këto kohëra nuk e provojnë burgun, si gjithë të tjerët.

Është pak a shumë ajo që po ndodh edhe në Shqipëri, ku kriminelët dalin nga burgu e bëhen biznesmenë, ndërsa biznesmenët, ata që kanë shtyrë përpara jo vetëm bizneset e tyre, por edhe ekonominë, i trajtojnë si kriminelë.

Numri i biznesmenëve që po provojnë prangat në duar që prej nisjes së aksionit kundër informalitetit sa vjen e shtohet. Akuzat e ngritura ndaj tyre janë nga më të ndryshmet, që nga akuzat për moslëshim të kuponit tatimor, fshehje e mosdeklarim të ardhurash, e deri tek akuzat më të rënduara për ngritjen dhe pjesëmarrjen në skema mashtrimi me TVSH, që shkojnë deri në miliona euro.

Megjithatë, “bashkë me barin e thatë, po digjet edhe i njomi”. Aksioni është akuzuar nga përfaqësues të biznesit se në një pjesë të mirë të rasteve autoritetet po përdorin masa ndëshkimore shumë herë më të rënda në krahasim me shkeljet e gjetura. Pjesë e këtyre masave është edhe arrestimi dhe burgosja, linçimi dhe demaskimi si në kohët e një sistemi të vjetër, që shumë nga shqiptarët e mbajnë mend mirë, duke shkaktuar pasiguri të mëdha për ekonominë, por edhe në tregun e punësimit.

Ndaj, ajo që po ndodh dashje pa dashje merr edhe ngjyrat e një fushate spastrimi edhe ndaj biznesit të të gjithë llojeve, që po shkakton panik tek investitorët vendas dhe të huaj, të cilët ngurrojnë të zgjerojnë, apo hapin linja të reja sipërmarrjeje. Madje, duke mbyllur edhe ato ekzistueset, për shkak të sëpatës me të cilën shteti po godet sipërmarrjen. Në asnjë vend të Europës, aty ku ne synojmë të shkojmë, biznesi nuk goditet me kaq forcë sa në Shqipëri, nuk kërcënohet me pranga, nuk dërgohet në burg. Europa është zhvilluar prej biznesit. Në asnjë vend të botës evazioni nuk eshte i tolerueshëm, por për këtë arsye nuk aplikohet thuajse kurrë burgu dhe prangat, por gjobat e medha.

Por, vendin e atyre që ngurrojnë të sfidojnë jo vetëm rrisqet e tregut, por edhe atë të ndëshkimit ekstrem të institucioneve shtetërore për një kupon tatimor, po e zë një kategori e re sipërmarrësish, më guximtarë. Persona të dënuar të botës së krimit, apo të njohur si persona me aktivitete të dyshimta në të shkuarën dhe të tashmen kanë zbuluar shpirtin e tyre të sipërmarrjes, shkruan SI.

Përfshirja e të ashtuquajturve “të fortë” në biznes nuk është risi që e prodhoi aksioni aktual kundër informalitetit, por aksioni në dukje po i inkurajon që të përfshihen në mënyrë me agresive në sipërmarrje, duke shfrytëzuar edhe pasigurinë që po prodhon prangosja e pronarëve dhe administratorëve të atij biznesi, që duhet thënë se ka problematikat e veta sa i takon korrektësisë me taksat, por është më i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm për ekonominë sesa biznesi i kriminelëve.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button