Si ka ndryshuar Popullësia e Shqipërisë ?

Situata aktuale është Kritike!!!

Popullsia si dukuri masive e shumëdimensionale shoqërore, me ligjet e veta specifike të zhvillimit e të manifestimit ka nisur të studiohet relativisht vonë, vetëm pas konstituimit të demografisë si disiplinë e veçantë shkencore në shek. XX dhe veçanërisht në pjesën e dytë të tij, ndonëse edhe më parë ka pasur përpjekje për hulumtimin e aspekteve të ndryshme të zhvillimit të popullsisë, por gjithnjë në kuadër të statistikës, shkencës ekonomike dhe shkencave të tjera sociale.
Ndonëse nga paraqitja e paraardhësit të njeriut, të drejtuar në këmbë, kanë kaluar mbi 1.700.000 vjet dhe të homo sapiensit (njeriut si qenie e arsyeshme, e vetëdijshme) rreth 60.000 vjet dhe me gjithë kërshërinë e qarqeve të ndryshme për evolucionin e popullsisë së botës nuk kemi njohuri të mjaftueshme, veçanërisht për të kaluarën e largët, por gjithherë gjithë historisë së njerëzimit evolucioni demografik ka tërhequr vëmendjen e studiuesve të ndryshëm.
Problemet e popullsisë në nivel botëror për herë të parë u gjendën në fokus të interesimit pas formimit të OKB-së (1945) dhe shërbimeve të saj të specializuara, kështu që vetëm një vit pas themelimit u ngrit Komisioni Popullativ i Kombeve të Bashkuara. Që nga formimi i saj kjo organizatë në mënyrë sistematike i ka shqyrtuar problemet e zhvillimit të popullsisë, duke kërkuar rrugët e zgjidhjes së drejtë të tyre. Një nga preokupimet themelore të shërbimeve profesionale të kësaj organizate ishte edhe ndriçimi i retrospektivës demografike dhe hartimi i projeksioneve të popullsisë, të cilat shtroheshin si problem universal, por dhe njohja e rrjedhave qoftë edhe aproksimative e numrit të popullësisë në të ardhmen do të bëhej e domosdoshme për njohjen, si të realitetit të përgjithshëm demografik, ashtu edhe të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të botës.
Duke shqyrtuar trendin e popullsisë botërore që nga homo sapiensi e deri më sot, vërehet një lëvizje karakteristike: stagnime të gjata, rënie dhe rritje; në periudha të caktuara. Të gjitha vlerësimet e autorëve të ndryshëm, më vonë edhe të shërbimeve të specializuara të Kombeve të Bashkuara, flasin se deri në fillim të epokës sonë dhe përgjithësisht deri në fillim të kohës moderne , karakteristikë themelore e lëvizjes së popullsisë së botës ishte rritja e ngadalshme dhe fluktuimi i saj me dallime të theksuara në pikëpamje hapësinore dhe në periudha të caktuara si rezultat i ndikimit të një varg faktorësh limitues.
Sipas vlerësimeve të përgjithshme, para rreth 40.000 vjetëve para epokës sonë (paleoliti i epërm) në botë jetonin rreth 500.000 banorë, ndërsa 5.000 vjet më vonë ky numër rritet në rreth 4 milionë njerëz.
Duke kaluar disa etapa vijmë në vitin 1650 në botë jetonin rreth 500 milion banorë, ku pjesa dërmuese shtrihej në Azi (60,0% dhe në vitin 1800 rreth 66%), pastaj në Afrikë (18,3%) dhe në Evropë (16,5%), në Amerikën Qendrore e Jugore edhe më pak (3,2%), në territorin e ish-BRSS-së (2,4%), në Australi dhe Oqeani edhe më pak (2 milionë ose 0,4%), ndërsa Amerika Veriore kishte vetëm rreth l milion banorë ose 0,2%. Në vitin 1800 ky numër gati dyfishohet.
Në shekujt e mëvonshëm, veçanërisht në gjysmën e dytë të shek. XX, dallimet në gjendjen numerike dhe në intensitetin e rritjes së popullsisë shtohen dukshëm, kështu që në fund të këtij shekulli (rreth vitit 1990) këto raporte ndryshojnë shumë, ku vendin e parë përsëri e zë kontinenti i Azisë, por me përqindje më të vogël (rreth 60,0%), pastaj vjen Afrika (rreth 13,0%), Evropa (rreth 9,0%), Amerika Latine (rreth 8,0%), ish-BRSS-ja (rreth 5,0%), Amerika Veriore (rreth 5,0%) dhe Oqeania (0,5%).
Pas Luftës II Botërore, përkatësisht në vitin 1950 vetëm 4 shtete kishin më shumë se 100 milionë banorë (Kina 556.613, India 358.293, BRSS-ja 178.547 dhe SHBA-ja 152.271), ndërsa në vitin 2002 ky numër rritet në 11 vende dhe 6 prej tyre përbëjnë më se gjysmën e popullsisë së botës (Kina, India, SHBA-ja, Indonezia, Brazili dhe Rusia); vetëm Kina përbën më se 1/5 e popullsisë botërore.

* *

Loading...

*

Duke ju referuar popullësisë të Shqipërisë,të dhënat e para të treguesve vitalë zyrtar të (nataliteti, mortaliteti, shtimi natyror) i hasim jo më herët se viti 1923, ndërsa për numrin e përgjithshëm të popullsisë ato datojnë më heret, por gjithsesi nuk janë zyrtare ( psh në vitin 1800 thuhet që popullësia të ketë qënë rreth 414 000 banorë).
Prej shekullit XIV e më herët dhe veçanërisht prej shekullit XV, masa të konsiderueshme shqiptarësh shpërngulen nga territoret e tyre të para dhe vendosen në Greqi, Itali dhe më vonë në Rumani, Bullgari, Turqi, Egjipt, Siri etj. Pas shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve nga Serbia (spastrimi etnik) nga fundi i shekullit XIX, pastaj në shekullin XX, prej luftërave ballkanike, gjatë tërë periudhës midis dy luftërave botërore, si dhe pas Luftës II Botërore, një numër i madh i shqiptarëve emigrojnë përgjithësisht në SHBA e në në disa vende të Evropës së Mesme, pastaj në Australi e në Zelandë të Re dhe veçanërisht nga ish-Jugosllavia në Turqi, që paraqet ngulimin më të madh jashtë trungut amë.
Statistikat e para zyrtare të popullsisë e Shqipërinë pra i përkasin regjistrimit i vitit 1923, kur vendi rregjistronte një popullësi prej 823,000 banorë. Nga vitet 1923-1945, megjithëse në tërësi lejohej emigrimi, popullsia në vendin tonë është shtuar me mbi 200 mijë vetë, që do të thotë as periudha otomane, por as dy Luftërat Botërore nuk patën shtesa natyrale me vlerë negative të popullësisë. ( Shtesa natyrore e popullsisë: Shpreh rritjen / rënien e popullsisë si rezultat i proceseve biologjike (lindjeve dhe vdekjeve) të saj gjatë një periudhe kohë. Ky tregues shprehet si diferencë ndërmjet lindjeve dhe vdekjeve.
Në këto dhjetëvjeteçarët e fundit migrimet relativisht masive të shqiptarëve u orientuan në vendet evropiane, si shembull po i referohemi raportit të fundit të Institutit të Statistikave të Italisë të Janarit 2016, ku vetëm në Itali janë popullësi rezidente shqipëtare e rregjistruar 482,959, ose 13% e të gjithë qytetarëve që banojnë në Itali e që i përkasin vendeve që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian.
Ajo çfarë më nxiti të shkruaj këtë artikull është edhe botimi i fundit i INSTAT mbi treguesit e popullësisë për vitin 2017, e që më bëri të thellohem akoma më shumë mbi këto të dhëna.
Popullësia e Shqiperisë në vitin 1989 ka qënë 3 182 400 banorë dhe në vitin 2017 rezulton 2 831 741 banorë, pra nësë i referohemi të gjithë periudhës nga viti 1989 – 2017, popullsia është pakësuar me 350 659 mijë banorë për gjatë 28 vjetëve. Sot në vitin 2018 ajo është 2 870 324.
Shtesa e popullësisë 1990 për Shqipërinë ishte 63 932 banoreë ndërkohë po t’i referohemi vitit 2017 në nivel kombëtar raporti i lindje –vdekjeve është vetem 8637 pra 55 295 banorë më pak, këto shifra e tejkalojne edhe projeksionin e popullsisë sipas skenarit të rritjes së mesme dhe hipotezes.
Demografia bashkëkohore në hulumtimin e popullsisë, pos metodave të saja, sot gjithnjë e më shumë po zbaton njohuritë dhe metodat e shumë disiplinave të tjera shkencore: të sociologjisë, të ekonomisë, të mjekësisë, të psikologjisë, të psikologjisë sociale, të demogjeografisë etj., në aspektin përmbajtësor, dhe të logjikës, të statistikës dhe të matematikës, në aspektin metodologjik.
Referuar kësaj panorame shkaqet dhe problematikat sigurisht janë të shumta e të ndryshme dhe për përcaktimin e tyre nuk jam ekspert i fushës por ajo çfarë kërkohet është analizimi i kësaj situate me seriozitet dhe ndërhyrja urgjente eksperteve e politikëbërësve me masa konkrete për stabilizimin e kësaj situate kritike për Shqipërinë.
© | Xh. N

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button