Qyteti i një mbi një dritareve

Njihet si “qyteti i një mbi një dritareve” dhe është shpallur një qytet muze. Ndodhet në shpatin e malit të Tomorrit ku ngrihet kalaja. Brenda mureve të kalasë ndodhen shtëpitë e banimit dhe “Muzeu i Onufrit”.

Pikturat dhe ikonat e piktorit të madh shqiptar janë të ekspozuara atje. Pjesa e vjetër e qytetit ka disa ndërtesa fetare si kisha dhe xhamia.

Qyteti i Beratit përbën rastin më unikal të një qyteti turistik, që pret e përcjell turistë gjatë gjithë stinës së vitit, kjo për faktin se Berati promovon turizmin kulturor. Berati vërtet nuk është qytet bregdetar, por ka një numër të madh monumentesh kulturore që janë pjesë e Trashëgiminë Kulturore Botërore.

Loading...

Ai është një qytet 2500-vjeçar si dhe është anëtar i Trashëgimisë Kulturore Botërore (UNESKO). Këto dhe pamja piktoreske e bëjnë Beratin një qytet me histori, vlera dhe kulturë të pasur.

Kalaja e Beratit ngrihet mbi një kodër prej 187 metrash mbi pjesën e sipërme të qytetit dhe rrethohet nga mure të larta të ndara nga 24 kulla. Ajo është e vetmja kështjellë e banueshme në Shqipëri. Brenda sipërfaqes prej 9.6 ha të kalasë ndodhen disa kisha, një pjesë e të cilave rrënojë, Sarajet turke, rrënojat e dy xhamive, sternat e ujit të quajtura Saranxha, sheshi i Sallabandës, sheshi i quajtur fusha e madhe etj. Ndërkohë që pjesën më të madhe të këtij oborri të brendshëm e zënë një sërë rrugicash, kopshtesh, bacesh dhe shtëpi banimi të cilat përbëjnë lagjen e quajtur kala.

Në kufijtë e legjendës dhe të historisë, ky vendbanim thuhet të ketë qenë Orestiada e lashtë, i quajtur kështu ngaqë aty banonin një fis i pellazgëve, orestët, i pari i të cilëve ishte Oresti, i biri i Agamemnonit. Qyteti i mirëfilltë u themelua më 313-310 P. Kr. si qytet-kështjellë i Dasaretisë, i quajtur Antipatrea nga mbreti Kassandër në kujtim të gjeneralit mëkëmbës të Lekës së Madh. Ky është emri i parë i qytetit. Pas pushtimit romak në shek. II P. Kr. ai u quajt prej tyre Albanorum Oppidum (Fortesa e Arbërve). Në shek. V, nën perandorinë Bizantine, u përforcua dhe e ndryshoi emrin në Βουλγερολις (qyteti bullgar, sllv. Belgrad) në shekullin e X.

Dy djem të rinj, të bukur dhe të pashëm jetonin dikur këtyre anëve. Njëri quhej Tomorr dhe tjetri Shpirag. Të dy ishin të dashuruar marrëzisht me të njëjtën femër: Zanën e maleve, e cila nuk mundi të vendoste as për njërin e as për tjetrin
Historia e dashurisë zgjati shumë, derisa të dy djemtë rrëmbyen armët dhe dolën në shesh të mejdanit për ta zgjidhur e mbyllur këtë histori. Shpiragu ishte i armatosur me topuz ndërsa Tomorri mbrohej me një kamë të mprehtë.

Dylyftimi zgjati shumë. Tomorri me kamën e tij i shkaktoi shumë plagë Shpiragut duke e bërë vija – vija, ndërsa Shpiragu e goditi Tomorrin fort me topuzin e tij duke i hapur shumë gropa.

Zana e maleve që ndiqte luftën, nuk mundi të duronte dot këtë tragjedi që po ndodhte për shkak të saj. E shkrehur në lot, ajo iu lut perëndive që të ndalonin këtë dyluftim mizor. Perënditë ndërhynë duke ngrirë gjithçka. Trupat e dy djemve u shndërruan në dy male. Ndërsa lotët e vajzës u bënë një ujëvar e rrëmbyeshme që krijoj lumin Osum.

Po të shikohet me kujdes, Tomorri edhe sot ruan në trupin e tij gropat e shkaktuara nga topuzi i Shpiragut, ndërsa Shpiragu ruan ende vijat e shkaktuara nga shpata e mprehtë e Tomorit. Lumi i Osumit që kalon poshtë këmbëve të kalasë, nuk është gjë tjetër veçse lumi i lotëve të derdhur nga zana e maleve, lot që në emër të dashurisë nuk shteruan kurrë.

Historiografia zyrtare na thotë se qyteti i Beratit e ka marrë këtë emër prej bullgarëve, që e pushtuan në shek. e XI-të dhe e quajtën Belgrad, nga “bel” që serbisht përkthehet “i bardhë” dhe “grad” që serbisht përkthehet “qytet” e merr kështu emrin “Qytet i Bardhë”.

Kulinaria beratse

Krahas bukurisë së qytetit është kulinaria, shija e mirë, ajo që i lezeton të gjitha. Në fakt Beratit nuk i mungon kuzhina e mirë. Një recetë e shijshme është “Pula me Rosnica”, që bëhet me thërrime brumi e me pulë fshati; kemi përsheshin me mish gjeldeti në muajt nëntor dhjetor dhe me mish qengji a keci në muajt e tjerë”. E veçanta nuk qëndron te receta e përsheshit, pasi gjithë jugu e gatuan këtë specialitet, por mënyra sesi e gatuajnë beratasit e bën unike këtë recetë. Përpara se ta njomin me lëngun e mishit, ata e skuqin kulaçin e thërrmuar në gjalpë dhe më pas shtojnë lëngun e mishit dhe erëzat që kërkon receta, dhe në fund pjata ka një shije të papërsëritshme. “Ndërsa sheshqeku është një recetë shumë e vjetër”, “por që ne Berat gatuhet vetëm në muajin dhjetor, për shkak të kalorive që ka”. Pjata gatuhet me grurë dhe mish dashi. Mishit i dashit ziehet mirë dhe i hiqen kockat. Ndërkohë ziehet gruri dhe më pas bashkohen të dy përbërësit dhe lihen në zjarr derisa nga yndyra, gruri dhe mishi krijojnë një lloj pelteje.

Një recetë tepër specifike e cila është tepër e shijshme. Por Berati ka edhe disa receta të tjera specifike. Si për shembull “Anabokshana”, një recetë e përgatitur me mëlçi, oriz dhe erëza. Apo ëmbëlsira unike e që bëhet vetëm në Berat, “Mali i bardhë”, apo siç e pagëzuan turistët, “Mont Blanc”. Të gjitha këto receta mund t’i shijoni vetëm në Berat. Askund tjetër.

M.H/ Dita

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *