Çfarë po konsumojmë? Siguria ushqimore, 100 tonë produkte të bllokuara

Mbi 100 tonë produkte të bllokuara, me qindra gjoba ndaj bizneseve që nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare apo operojnë në informalitet, me dhjetëra të tjerë të mbyllur plotësisht. Të gjitha këto tingëllojnë si një betejë për të rritur sigurinë ushqimore. Kontrollet rutinë po nxjerrin në pah një tjetër problematikë serioze, siguria ushqimore mbetet ende në zonën e kuqe të rrezikut duke kërcënuar çdo qytetar.
Ndaj sfida reale e institucioneve duket se do të jetë që të kthejnë betejën në një luftë, që duhet fituar me çdo kusht, ose kjo mund të përfundojë vetëm në një seri kronikash bombastike pa efekt. Ekspertët dhe vetë AKU pranojnë se ka nevojë për përmirësime të theksuara, ndërhyrje në Kodin Penal, por edhe për një aleancë më të fortë me publikun.
Tonelata të tëra me ushqime të skaduara, mish i shoqëruar me dokumente jo konform ligjit, thertore e magazina janë bërë së fundmi pjesë e kronikave ditore televizive, debateve të gjera në rrjetet sociale, duke ngritur, mes të tjerave, pikëpyetje mbi sigurinë ushqimore në vend. Mes të tjera qëndrimeve të hasura më shpesh janë ato se çfarë po hamë sot?
Sa i sigurt duhet të ndihet konsumatori shqiptar? Deri ku duhet të shkojë transparenca në publik për kompanitë që nuk kanë respektuar rregullat? Por mbi të gjitha, a jemi sot përpara një lufte që synon të vendosë një standard të ri në treg apo përpara një beteje, efekti i së cilës mund të shuhet papritur, duke mbetur vetëm kujtesë e disa titujve bombastikë në lajme.
AKU: Po bëjmë punën e përditshme, nuk jemi përballë një aksioni
Të paktën 313 tonë produkte që u ka kaluar afati i skadencës janë asgjësuar gjatë periudhës 1 qershor 2018-15 gusht 2018. Nga këto, 1/3 janë produkt i kontrolleve që janë kryer nga ana e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe ku është konstatuar shkelje ligjore. Ndërkohë 2/3 janë produkte që janë njoftuar nga vetë bizneset se u ka mbaruar afati i konsumit dhe se duhet të asgjësohen. Për çdo rast të tillë, AKU duhet të vihet në dijeni, në mënyrë që edhe pse kostot dhe procesi kryhet nga biznesi lidhur me shkatërrimin, ai të mbikëqyret e dokumentohet nga ana e autoritetit.
Një sasi e tillë konsiderohet si sasi rekord nga ana e institucioneve publike të cilët, ndër të tjera, theksojnë se pas vullnetit të mirë të biznesit për të njoftuar mbi sasitë e produkteve të skaduara fshihet pikërisht ndërgjegjësimi nga zëri që ju është dhënë së fundmi aksioneve në terren të AKU.
Në fakt, sipas këtij institucioni, nuk është se së fundmi po ndiqet një aksion i veçantë. Drejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni, Agim Ismaili, konfirmon për Monitor se po respektohet ligji, pa bërë asnjë ndryshim në kuadrin ekzistues dhe mbi të gjitha po zbatohet plani i kontrolleve me bazë riskun miratuar në fillimvit. Pra sot jemi përpara një pune rutinë dhe jo përpara një aksioni sikurse mund të jetë krijuar ideja.
Rritet numri i subjekteve që ndëshkohen, piku në sezonin turistik
Të dhënat zyrtare tregojnë se nga janari në gusht të këtij viti janë penalizuar me gjobë mbi gjurmueshmërinë e produkteve 298 subjekte ndërkohë që për të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i gjobave ishte vetëm 27.
Për sezonin turistik duket se ka pasur një vëmendje të veçantë lidhur me inspektimet, ku rezultojnë të jenë kryer 6543 të tillë në terren në harkun 1 qershor-15 gusht. Nga këto janë paralajmëruar 1896 subjekte për shkak të parregullsive që mund të jenë konstatuar dhe sipas hapësirave që parashikon ligji.
Po kështu janë penalizuar me masa administrative gjobë 328 subjekte me një vlerë totale të gjobave prej 98 milionë lekësh. Për 58 subjekte të tjera është vendosur mbyllje e aktivitetit.
Shkeljet që konstatohen më shpesh te subjektet
Kontrollet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë nxjerrë në pah edhe shkeljet më të zakonshme që hasen brenda subjekteve që kontrollohen, sidomos tek ato që tregtojnë mishin apo baxhot dhe prodhimi i bulmetrave. Kështu, referuar kontrolleve te grupi i produkteve me origjinë shtazore, ndër shkeljet e konstatuara janë ato që lidhen me mungesën e vulës dhe certifikatës veterinare. Janë hasur raste kur produktet e peshkimit janë pa dokumentacion shoqërues. Të tjerë subjekte nuk kanë reflektuar lidhur me kërkesat që u janë bërë në fazën e paralajmërimit. Konstatohet mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë, mungesë e kushteve higjieno-sanitare, mungesë etiketimi apo mospajisje me NIPT nga QKB.
Për rastet e tjera të kontrolleve të përfshira nga sektori me origjinë joshtazore shkeljet që janë hasur më shpesh përfshihen në 11 pika. Së pari, mungesë e kushteve higjieno-sanitare. Së dyti mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë, mungesë e sistemimit të ambientit të brendshëm, mangësi në etiketimin e produkteve ushqimore, mungesë e planit DDD, apo edhe mungesë e analizës bakteriologjike të ujit. Më pas, vijnë mungesa e librezave shëndetësore të punonjësve, prishja e shenjave dalluese dhe ushtrim aktiviteti nën masën e bllokimit, mungesa e planit të vetëkontrollit HACCP, mungesa e raportit të analizave të disa produkteve dhe në fund, mosrealizimi i detyrave të lëna nga inspektimi paraardhës.
Në fokus të inspektimeve kanë qenë edhe farmacitë veterinare ku, jo në pak raste, ka pasur gjobitje për shkak të riambalazhimeve të gabuara, apo tregtim në këto farmaci nga persona që nuk mbajnë diplomën përkatëse.
Alban Zusi, Presidenti i Qendrës Shqiptare të Eksporteve
Siguria ushqimore, ende peng e kontrolleve bazike, të ndryshojë edhe Kodi Penal
Aksionet e fundit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit tregojnë se ligji i ka të gjitha mekanizmat e kontrollit dhe rritjes së sigurisë ushqimore, por gjithçka varet nga mënyra sesi zbatohet ky kuadër. Për kreun e Qendrës Shqiptare të Eksporteve, Alban Zusi, duhet pasur kujdes për mënyrën sesi trajtohen rastet e operatorëve dhe publikimi i emrave, ndërkohë që ka nevojë që të përcaktohet qartë se deri në çfarë mase informacioni i punës rutinë i transmetohet publikut.
Ai nënvizon se opinioni publik dominohet nga dy qëndrime, ku i pari është publikimi i emrave për operatorët që kapen në shkelje dhe i dyti është për një menaxhim më të moderuar të informacionit, për të mos cenuar tregun dhe konkurrencën. Për të ndërgjegjësuar dhe për të rritur përgjegjshmërinë e operatorëve mbi sigurinë, ai thekson se është e nevojshme që të bëhen ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, kurse lidhur me kontrollet e autoriteteve, vlerëson se ato mbeten ende bazike, duke u ndalur te pjesa e higjienës kur, në fakt, tashmë duhet të ishim në fazë më analitike.
Ku ndodhet sot vendi ynë në aspektin e sigurisë ushqimore e lidhur kjo me kuadrin ligjor por edhe zhvillimet që shohim sot, pasi aksioni i fundit i AKU duket se ka nxjerrë në pah një problematikë serioze?
Për sa i përket pjesës ligjore, baza dhe aktet rregullative për të vendosur sigurinë ushqimore ekziston dhe këtë e tregon edhe zhvillimi i fundit ku Ministria e Bujqësisë, por edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, pa bërë asnjë rregullim të ri, por thjesht me një qasje të re të zbatimit të atyre që ekzistojnë, kanë sjellë shumë ndryshime. Dhe sot mund të themi se kemi një situatë më të përmirësuar të sigurisë ushqimore në vend, veçanërisht në zinxhirët kryesorë ushqimorë, siç është zinxhiri i prodhimit të mishit, që është edhe më i rrezikshmi apo zinxhiri i prodhimit të qumështit e në fund, edhe ai i drithërave dhe miellit.
Dua të them se edhe me këtë bazë ligjore që kemi, nëse ekziston vullneti dhe profesionalizimi i nevojshëm, ne mund të kemi një situatë shumë më të mirë për sigurinë ushqimore. Por përsëri nuk mund të themi se gjithçka shkon mirë në kuadrin ligjor, sepse ka shumë problematika, duke nisur nga ndarja e kompetencave mes institucioneve brenda të njëjtit sistem.
Këtu mund të përmend paradoksin që çuditërisht nuk po zgjidhet me segmentarizimin e inspektimit veterinar në tre institucione të ndryshme, që është një situatë krejtësisht e papranueshme, për të vazhduar më tej me mungesën e akteve të qarta të përgjegjësive të palëve dhe faktorëve që kanë për detyrë garantimin e sigurisë ushqimore, po kështu mungesën e certifikatave fitosanitare dhe veterinare në të dy zinxhirët dhe duke përfunduar pastaj me përcaktimet e Kodit Penal për krimet që ndodhin nga operatorët e biznesit ushqimor, të cilat parashikojnë penalitet për një operator, vetëm nëse ndodh që një konsumator të vdesë apo sëmuret rëndë.
Në çdo rast tjetër të përcaktimit apo identifikimit të papërgjegjshmërisë apo ndoshta dhe fajësisë në prodhimin e një produkti të rrezikshëm për shëndetin e konsumatorit, askush nuk mund ta dërgojë para gjykatës për ta ndëshkuar një operator, për sa kohë dikush nuk është lënduar apo më keq akoma, nuk ka vdekur për shkak të produktit.
Nëse bëjmë një klasifikim të sektorëve me risk të lartë, lidhur me rrezikun ushqimor si mund t’i ndajmë ato dhe si paraqiten këta sektorë në fakt në Shqipëri sipas këndvështrimit tuaj?
Në të gjithë Europën, sektori që ndiqet në mënyrë të drejtpërdrejtë është sektori i therjes së kafshëve. Në çdo vend të unionit, çdo kafshë inspektohet individualisht nga një veteriner zyrtar, pikërisht aty ku është edhe rrezikshmëria më e lartë për konsumatorin. Pastaj vijnë me radhë sektori i bulmetrave, ushqimet e tjera me origjinë shtazore, të cilat kanë në përbërje të tyre adizivë, frutat dhe perimet e kështu me radhë. Fatkeqësisht, AKU sot është e detyruar të përballet me kontrolle bazike, siç janë ato të kushteve të higjienës në mjedisin e punës.
Në fakt do të duhej që situata e kushteve të higjienës të ishte tashmë e tejkaluar, si prioritet dhe trupat inspektuese do të duhej të ishin në terren për investigime dhe inspektime më të thelluara dhe më të sofistikuara të tipit analitik të përbërjes së produkteve, të kartave teknologjike, të garancive ndaj konsumatorit, për të mos pasur në qarkullim produkte të falsifikuara apo mashtruese çka në fakt duket disi e largët si detyrë dhe si prioritet për dy faktorë.
Së pari, ende ne kemi probleme shumë të mëdha me higjienën në vendin e punës, veçanërisht kur flasim për biznese të vogla dhe të mesme dhe së dyti, kemi personel në përbërje të trupës inspektuese të AKU, me kufizime të mëdha profesionale, të cilët janë ende larg për t’i kuptuar problemet e sofistikuara të rrezikut ushqimor e jo më për t’i menaxhuar dhe për t’i parandaluar ato.
Ka një reagim të vazhdueshëm të publikut sa herë dalin rastet kur është cenuar siguria ushqimore ku kërkohen emra të kompanive. Kërkohen emra për ata që ngarkesa është bllokuar në magazinë, në doganë në dyqan. Si e parashikon ligji këtë aspekt?
Është një temë shumë debatuar dhe fatkeqësisht edhe njerëz, të cilët kanë një kulturë profesionale apo kanë mbajtur edhe poste drejtuese në sistem, ose nuk arrijnë ta kuptojnë ose me keqdashje e keqinterpretojnë problemin e publikimit të emrave, në rastet e problematikave me produkte të operatorëve të ndryshëm të biznesit. Ajo që së pari unë kam për të thënë për këtë çështje është që, kur produkti konsiderohet i rrezikshëm për konsumatorin, ai duhet informuar menjëherë vetëm në një rast: kur produkti është në treg të lirë, kur është në raftet e supermarketeve dhe tregtuesi i mallit të rrezikshëm për shëndetin nuk është në gjendje ta tërheqë në mënyrë të menjëhershme atë produkt.
Në këtë rast, pa diskutim të duhet të bësh njoftime publike, të cilat kalojnë përtej një publikimi të emrit të thjeshtë të subjektit. Në këtë rast duhet të ketë informacion publik në të gjitha mediat dhe në të gjitha kanalet e tjera të informimit dhe mundësisht edhe njoftime kryesore tregtare për llojin e produktit, lotin e tij dhe çdo info tjetër që ndihmon konsumatorin që të mos e blejë një produkt, i cili nga analizat apo inspektimet e AKU ka rezultuar i dëmshëm për shëndetin e konsumatorit. Në çdo rast tjetër, kur produkti ndodhet në kontejner, në tragete apo në pika kufitare apo magazina të biznesit, ose në proces prodhimi, është abuzive dhe e rrezikshme nga pikëpamja e së drejtës tregtare dhe konkurrencës së lirë në treg, që të publikosh emra kompanish për produkte jo konforme.
A ka vend për panik për sigurinë ushqimore?
Pyetja juaj është e drejtë por është shumë e vështirë ta ndash, nëse njoftimet që bën AKU, për bllokime kontejnerësh jo konform ligjit me mish apo zbulime produktesh të tjera, bëjnë mirë apo keq. Ka dy qëndrime. Qëndrimi i parë është ai i operatorëve të biznesit të cilët, në mënyrë absolute, janë kundër njoftimeve të kësaj natyre, pasi në fakt, ato nga njëra anë duket sikur ndikojnë në një lloj trembje të konsumatorit dhe jo rrallëherë, njoftime për kapje produktesh të pasigurta apo identifikime subjektesh që prodhojnë në kushte të papërshtatshme, kanë ndikuar ndjeshëm në nivelin e shitjeve.
Por, nga ana tjetër, ka dhe një qëndrim tjetër që mbështet faktin se duke demonstruar që AKU tashmë ka filluar të këtë nën kontroll situatën, konsumatorit mund të fillojë t’i rritet besimi te sistemi publik i kontrollit, veçanërisht te prodhimet vendase dhe në këtë mënyrë, të kemi një ndërgjegjësim të opinionit publik që tashmë situata me sigurinë ushqimore është më e përmirësuar dhe ka më shumë besueshmëri për të konsumuar veçanërisht produktet vendase. Unë personalisht i has të dyja opinionet dhe nuk jam në gjendje të vlerësoj se cili prevalon në momentin aktual. Paniku apo qetësia e konsumatorit? Di të them që pa diskutim që ka përmirësim të opinionit publik dhe një qetësi më të madhe të konsumatorit për shkak të vendosmërisë së kohëve të fundit nga ana e lidershipit të Ministrisë së Bujqësisë dhe AKU, por ndoshta është e nevojshme që të bëhet një studim i opinionit publik për të përcaktuar qartësisht nivelin dhe masën se deri ku duhet të informohet opinioni publik për atë që në fakt, është një punë rutinë e AKU, siç është zbulimi dhe kthimi pas i mallrave të problematikës së importit apo zbulimi, gjobitja dhe mbyllja e operatorëve që nuk plotësojnë standardet apo nuk respektojnë kërkesat e ligjit për ushqimin.
Flet Ilir Pilku, Ekspert për Bujqësinë dhe Ushqimin
“Certifikimet e produkteve rrisin sigurinë, ja sa humbim nga mungesa e tyre”
Në luftën për mbijetesë të fermerëve të vegjël shqiptarë, certifikimi i produkteve mund të duket si një mision i pamundur dhe si luks vetëm i atyre më të mëdhenjve. Ky proces sigurisht që ka kostot e veta, sepse në fund të ditës, marrja e një certifikate të njohur, në mënyrë vullnetare, padyshim që rrit besueshmërinë e konsumatorit te produkti por mbi të gjitha hap dyert e eksportit për to.
Për Ilir Pilkun ekspert për çështjet e Bujqësisë dhe Ushqimit, në vendin tonë e kanë kaluar provën e sigurisë dhe të certifikimit me Global Gap të paktën 20 produkte.
Për këto, përfitueshmëria është sot më e lartë, sepse produktet “simotra” qarkullojnë në tregje ku eksporti bëhet edhe vetëm me certifikatën fitosanitare. Mungesa e një certifikimi më të lartë bën që në shumë raste të humbasë gjysma e fitimit. Lidhur me sigurinë ushqimore në vend, ai vlerëson se nuk ka vend për panik, por sigurisht që ka vend për përmirësim të punës, sidomos e lidhur kjo me ndërgjegjësimin e njësive të tregtimit për respektimin e afateve të skadencës.
Ku jemi sot me sigurinë ushqimore e lidhur me kuadrin ligjor zbatimin dhe gjendjen faktike në terren?
Në kuadrin ligjor, ne kemi ligjin e vitit, 2008 që ka të përcaktuar shumë qartë çfarë bizneset duhet të respektojnë lidhur me sigurinë ushqimore, çfarë sistemesh duhet të kenë apo certifikimet e nevojshme. Si rrjedhojë e ligjit “Për ushqimin” kemi më pas krijimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Ky autoritet ka për detyrë mbikëqyrjen e zbatimit të kërkesave të ligjit të ushqimit, që ka të përcaktuar licencat për çdo lloj aktiviteti dhe planin e punës të monitorimit dhe zbatimit nga AKU të ligjit. Po kështu, sanksionohet edhe pjesa që lidhet me mënyrën sesi duhet të komunikojë AKU me publikun dhe bizneset kur konstatohet problematikë. Dëgjojmë shpesh që bllokohen X sasi ushqimesh në port dhe ngrihen pikëpyetje pse nuk dimë apo të na thuhen emrat e kompanive?
Këtë nuk e ka ligji të përcaktuar. Neni 8 i ligjit të ushqimit e shpjegon mënyrën e komunikimit për rastet e importit apo të atyre produkteve që identifikohen në kanalet e shitjes në vend. Çdo produkt që nuk ka hyrë në sistemin e marketingut në Republikën e Shqipërisë, por është në gjendje portuale/doganore, AKU nuk është e detyruar, në bazë të ligjit, që të bëjë të ditur se cili është subjekti që e ka sjellë. Detyra e saj është ta kontrollojnë dhe analizojnë në laboratorët e akredituar dhe në rast se identifikon problematikë, ta kthejë në destinacionin nga ka ardhur. Është plotësisht ndryshe kur AKU, në kontrollet e saj të rastësishme apo me anë të një plani të caktuar, identifikon brenda territorit produkte jo konform rregullave dhe standardeve të sigurisë ushqimore. Në këto raste e ka për detyrë të raportojë dhe të komunikojnë me publikun mbi kompaninë që është bllokuar kjo sasi dhe çfarë lloj produkti është bllokuar.
Pra kemi një kuadër ligjor ndër më të mirët në Europë, pasi ligji përcakton çdo detaj lidhur edhe me kohën e mbetur nga skandanca që duhet të ketë një produkt dhe mënyrën e asgjësimit të tij. Çështja është sesa respektohet kjo më pas. Problem i skadencës shpeshherë nuk zbatohet as nga rrjeti i supermarketeve, as nga njësitë e vogla tregtare. Në lidhje me subjektet që janë prodhues se çfarë duhet të plotësojnë ata për sa i përket sigurisë ushqimore, ligji përcakton që ata duhet të kenë të implementuar sistemin HACCP që është detyrim ligjor. Të gjithë sistemet e tjera të sigurisë ushqimore janë më të larta dhe janë vullnetare. Unë do të theksoja që, përveç detyrimit të AKU-së dhe institucioneve të tjera shtetërore, vetë sipërmarrja duhet të rrisë shkallën e edukimit mbi detyrimet e kërkuara në ligj për prodhimin e një produkti që konsumohet nga popullata.
Sa të sigurta janë prodhimet bujqësore dhe ato blegtorale sot në këndvështrimin tuaj?
Në bazë të rregullit të Bashkimit Europian për eksportet dhe certifikatat që duhet të kenë produktet bujqësore kërkohet vetëm certifikimi fitosanitar. Pra me një certifikatë fitosanitare një produkt ka plotësuar ligjshmërinë shqiptare dhe atë të Bashkimit Europian. Por pyetja që lind është, që sa këto produkte, me këtë certifikim dhe këtë standard kaq të ulët mund të penetrojnë në tregjet apo supermarketet europiane? Ndërkohë që rrjetet e supermarketeve europiane si Aldi, Metro, Carrefour Spar apo Conad kanë kërkesë të patolerueshme certifikatën Global Gap dhe BRC, duke qenë se certifikimi i produktit, kryesisht bazohet në analizën e mbetjeve.
Në tre vitet e fundit, kemi një ndryshim shumë të madh të kanaleve tregtuese që produktet bujqësore kalojnë, ku ka marrë një pjesë shumë të madh rrjeti i supermarketeve në Europë. Pra kryesisht produktet në Europë me rreth 85% kalojnë nëpërmjet rrjetit të supermarketeve. Kuptohet që koha është shumë e çmueshme dhe rrjetet e supermarketeve janë bërë si one stop center, pra shkon dhe ble çdo lloj produkti ku specifikë është aplikimi i standardeve të larta. Pra është domosdoshmëri.
Çfarë sanksionon në fakt kjo lloj certifikate apo çfarë garanton marrja e saj lidhur me sigurinë dhe cilësinë e një produkti?
Certifikata përveçse proceseve të dokumentuara nga fillimi, pra nga mbjellja deri te vjelja, ajo që i vendos vulën produktit është analiza e mbetjeve që quhet MRL (Maximum Residue Levels). Pra analiza e mbetjeve në produkt është një analizë e shtrenjtë dhe në Shqipëri nuk ka laboratorë të tillë të akredituar për të bërë këtë analizë. Zakonisht këto kryhen në laboratorë të specializuar në Greqi ose Itali, ku produkti i nënshtrohet një sërë analizave që përcaktojnë nivelin e mbetjeve të krahasuara me normativat e lejueshme nga Bashkimi Europian. Produkti që rezulton me një normativë mbi kufirin maksimal të lejuar nga BE nuk e kalon fazën e certifikimit.
Si i kemi produktet ne? Sa prej tyre janë mbajtës të certifikimeve të caktuara vullnetare dhe sa humbasim nga mungesa e këtij certifikimi.
Ajo që mund të them përpos çfarë ne dëgjojmë në media për produkte me hormone apo problematikë është që në rreth 20 raste të aplikuara për t’u certifikuar në Shqipëri nuk ka asnjë refuzim. Mund të them që janë nën normativat e lejuara. Janë 20 produkte që kanë marrë certifikatën e Global Gap-it. Për një qartësim, nuk certifikohet me Global Gap kompania, por kompania me produktin specifik. Është nga certifikatat më të vështira për t’u marrë dhe gjithashtu, me kosto relativisht të lartë, por e papërfillshme kur e krahason me përfitueshmërinë që arrin biznesi nëpërmjet tregtimit në tregjet e Europës Perëndimore.
Nuk është se nuk mund të eksportosh pa Global Gap, patjetër që eksporton me certifikatë fitosanitare, por kuptohet që do të gjesh tregje të vogla përmes Serbisë, Maqedonisë për në vendet e Europës Juglindore ku dhe çmimi që ofrojnë janë me një përfitim të ulët. Pra nuk merr një fitim maksimal. Për shembull, mesatarja e eksportit të domates sonë është rreth 60 cent/kg dhe ndërkohë po të shohësh mesataren e importit të Gjermanisë për domaten është rreth 1.2 euro/kg, pra kupton sesa ne humbim nga mungesa e certifikimeve të duhura. Në vendin tonë, certifikimin Global GAP e kanë disa produkte si perimet e serave të Lushnjës, mollët e Korçës, mandarinat e Xarrës, shalqini i Divjakës si dhe disa produkte të delikatesës. Në dy vitet e fundit ka pasur interes për Global Gap.
Po të shohësh eksportet e fundit, ne kemi rritje të eksporteve te bostanorët dhe janë kryesisht eksporte drejt Çekisë, Sllovakisë. Fillimisht këto vende kanë pasur kërkesën vetëm për certifikatën fitosanitare. Në vitin 2018, në Çeki, Sllovaki dhe Lituani kompanitë ndryshuan kërkesat për certifikimet dhe kjo bëri që të kishim një fluks për sistemin Global Gap.
A është ndërgjegjësuar biznesi shqiptar për të certifikuar produktet e tyre në funksion të standardit dhe sigurisë?
Për herë të parë në vitin 2018 ka pasur një vendim të Qeverisë Shqiptare ku, në skemën kombëtare të subvencioneve, u përfshinë një gamë certifikimesh, duke parashikuar si grant në masën 50% financim të kostos së implementimit dhe të certifikimit. Janë dy faza që kalon procesi i certifikimit, të cilat janë të pavarura nga njëra-tjetra. Faza e parë dhe më e rëndësishmja është implementimi ku biznesi duhet të implementojë sistemin përkatës të përzgjedhur (HACCP, ISO, Global Gap etj.) që merr edhe më shumë kohë për t’u realizuar.
Pastaj vjen faza tjetër, që ka të bëjë me auditimin nga inspektori i licencuar i Trupës së Akredituar e cila, pasi kontrollon gjendjen në terren dhe sistemin, dokumentacionin, jep më pas certifikatën ose jo sipas situatës që konstatohet. Pra Ministria e Bujqësisë, nëpërmjet Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, parashikoi që 50% të vlerës për implementim dhe certifikim të mbulohej me grant nga buxheti i shtetit. Shpeshherë ndodh që nga mungesa e shpërndarjes së informacionit, apo si pasojë e mospasjes se një konsulence efikase në fusha specifike si kjo që lidhet me certifikimet, biznesi bujqësor nuk arrin ta përthithë këtë mundësi investimi dhe kryesisht e lidh me certifikimin Global Gap.
Kompanitë e mëdha, kryesisht përpunueset dhe ato që janë lider në treg, kanë sisteme të mirëndërtuara, pra sisteme të standardeve të larta që janë ISO 22,000, ISO 14001 dhe në aspektin e sigurisë së produktit të gjithë kanalet e operimit janë të mirëndërtuar. Ajo që ka vend për t’u përmirësuar është gjithmonë pjesa që lidhet me njësitë e vogla të përpunimit. Këto njësi, kryesisht janë baxhot apo njësitë e vogla të konservimit për reçelra, marmelata dhe për ato artizanale që bëhen në ambiente shtëpiake, duhet të certifikohen pra të plotësojnë standardet minimale kombëtare. Certifikimet mundësojnë një gjurmueshmëri më të mirë dhe normalisht izolimin në kohë të problematikave.
A ka vend për panik në kushtet kur dëgjojmë kaq shumë të flitet për produktet me hormone, produkte të skaduara apo produkte që nuk dimë si janë prodhuar?
Unë do të isha shumë i rezervuar për të thënë që ka vend për panik. Duhet të ndajmë pak edhe produktet që tregtohen në Shqipëri. Nëse flasim për produkte bujqësore të prodhuar nga fermerët shqiptarë, unë nuk shoh asnjë lloj problematike. Importin e shoh gjithmonë me më shumë problematikë. Kryesisht shoh importin në lidhje me grurin e misrin që vjen në Shqipëri. Shpeshherë ne kemi aflatoksinën si problem dhe kjo sepse gjithçka shkon në zinxhir. Atë misër dhe grurë me aflatoksinë e konsumojnë pularitë, blegtoria e cila kthehet në qumësht dhe mish dhe pastaj shkon te konsumatori. Nëse unë do të bëja një analizë risku, do të vendosja një sistem më të lartë kontrolli për produktet që vijnë nga jashtë.
Nuk do ta ekzagjeroja, duke thënë që origjina e produkteve të mishit të importit nuk paraqet ndonjë problematikë dhe kryesisht atë të importuar nga Brazili, sepse edhe vetë Gjermania, Italia, Franca janë importuese. Mënyra e transportit apo e ruajtjes mund të klasifikohet si problem. Sidoqoftë asnjëherë nuk duhet të injorohen masat, duke kontrolluar dokumentacionin që e shoqëron, analizat laboratorike dhe për këtë arsye, duhet të kemi një nivel laboratorik shumë të lartë. Monitor

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *