Mediat serbe: Brukseli “i jep ende kohë” Prishtinës, për Asociacionin

Kosova i dha mandatin Ekipit Drejtues për të hartuar një statut të Asociacionit të Komunave Serbe.
Dhjetë ditë para skadimit të afatit – të cilin autoritetet në Prishtinë morën për të hartuar statutin – në BE thonë se presin që të “të gjitha marrëveshjet” e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës “të zbatohen pa vonesë“.
“Kjo vlen veçanërisht për marrëveshjen mbi Bashkësinë/Asociacionin e Komunave dhe Energjisë”, ka thënë Maja Kocijancic, zëdhënëse e politikës së jashtme të BE, për mediat serbe, përcjell Telegrafi.
Megjithatë, në pyetjen e agjencisë së lajmeve Tanjug, nëse BE si ndërmjetës në bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës ka informacion rreth progresit të arritur rreth statutit të AKS-së, i cili është paraparë të jetë gati më 4 gusht, Kocijancic ka thënë se “është duke u punuar dhe se kjo kërkon kohë”.
“BE-ja është në kontakt të ngushtë me të dyja palët në drejtim të të gjithë hapave të nevojshëm për zbatimin e saj, por edhe të gjitha marrëveshjeve të tjera të arritura në dialog”, ka thënë tutje Kocijancic.
Ndryshe, kanë mbetur edhe dhjetë ditë deri te përfundimi i afatit të vënë nga Bashkimi Evropian (BE) për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS).
Kjo pasi që BE-ja e kishte kërkuar para katër muajve, që deri më 4 gusht të hartohej statuti i AKS-së, porse një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Mirëpo, ekipi menaxhues ka bërë të ditur se në hartimin e draftit ata marrin parasysh Marrëveshjen e Brukselit, por jo edhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Gjithsesi Jeta Krasniqi nga KDI, në një prononcim për Telegrafin ka thënë që ASK-ja duhet të formohet në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Ndryshe, presidenti i vendit Hashim Thaçi, të martën në një konferencë me gazetarë ka thënë se Asociacioni do të themelohet sipas Kushtetutës, ligjeve të Kosovës si dhe opinionit të Gjykatës Kushtetuese.
“Ky asociacion do të themelohet sipas Kushtetutës, ligjeve të Kosovës dhe opinionit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Pretendimet e ndryshme ne nuk mund t’i frenojmë por nuk mund të përfshihen ato gjëra që nuk janë në përputhshmëri me kushtetutën, ligjet e Kosovës, ligjin për vetëqeverisje lokale gjithashtu edhe opinionit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *