Fotoalbumi 1953/ Si u ‘sovjetizua’ Teatri Popullor

Nga Mark Brunda/

“Duke u mbështetur në eksperiencën e teatrit sovjetik u krijua dhe u zhvillua në vendin tonë Teatri popullor shtetëror. Krahas tij lindi nevoja e ngritjes së nivelit kulturor-arsimor, ideo-politik dhe profesional i aktorëve. Teatri është bërë mjaft popullor në vendin tonë”, deklaronte në Kongresin I të PKSH, Enver Hoxha. Kjo ndodhte më 4 tetor 1948, katër vjet pas çlirimit të vendit dhe 3 vjet pas dekretimit të krijimit të Teatrit Popullor.

Në vitin 1946 u vunë në skenë: “Martesa” e Nikollaj Gogolit, “Nëna” sipas Maksim Gorkit, “Portreti” i Aleksandër Afinogenovit, “Invadimi” i Leonid Leonovit, “Çështja ruse” e Konstantin Simonovit, “Pllaton Kreçet” i Aleksandër Kornejçukut, “Karakteri moskovit” i Anatoli Sofronovit, drama me 4 akte dhe 6 tablo “Zëri i Amerikës” nga Lavrenjov, në vitin 1951, etj. Në vitet 1957-58 spektakli “Orët e Kremlinit” e Nikollaj Pogodinit u shndërruar në një ngjarje të madhe në jetën e Teatrit Popullor.

Loading...

Po ribotojmë, duke ruajtur gjuhën e kohës, një tekst kushtuar zhvillimit të teatrit në Tiranë dhe në vend në vitet 1944-1953. Sqarimet në kllapa janë të autorit të dossierit. Në vitin 1953 është hedhur në qarkullim një album, tashmë i rrallë, me titull në tri gjuhë (shqip, rusisht, frëngjisht): “Arti në Republikën Popullore të Shqipërisë = Iskusstvo v Narodnoy Respublike Albanii = L’art dans la République Populaire d’Albanie”. Është “Botimi i Komitetit Shqiptar për marëdhënjet Kulturore me Botën e Jashtme”. Ky album është marrë përsipër nga enti botues qendror shtetëror i Berlinit [VEB Deutscher Zentralverlag Berlin. Verlagslizenz 4 Ag 08/53 (17/53)]. U radhit dhe u shtyp në qytetin e Lajpcigut (Satz und Druck: Tribüne Druckerei III Leipzig III/18/36). Ka 73 faqe. Fotot kryesisht janë bardhezi, por ka edhe disa me ngjyra. Albumi fotografik është ndarë me 6 seksione, shoqëruar me tekste hyrëse: Gjendja kulturalo-artistike në Shqipëri, Arti popullor, Muzika, Theatri, Skulptura dhe piktura, Arkeologjija.

Faksimile e një fragmenti nga teksti shoqërues në tri gjuhë (shqip, rusisht,frëngjisht) për gjendjen në teatrit shqiptar deri në vitin 1953.

Repertori me pjesë sovjetike, origjinale dhe progresiste

Ja teksti shoqërues për gjendjen në teatrit shqiptar deri në vitin 1953:

Theatri, sikundër gjithë jeta artistike-kulturale, nuk mundi të zhvillohej gjatë kohës në Shqipëri për shkak të okupacioneve të vazhdueshme.

Vetëm nga mbarimi i shekullit XIX-të, në periudhën e Rilindjes Kombtare shqiptare, arti dramatik filloi të hyjë në jetën e popullit shqiptarë. Rilindasit Sami Frashëri dhe Andon Zako Çajupi shkruan të parat vepra letrare të theatrit shqiptar. Në këtë kohë organizohen të parat grupe diletante në Shkodër dhe në Korçë, të cilat fillojnë të japin çfaqje me karakter edukativ dhe patriotik.

Gjatë regjimit të Zogut theatri nuk mundi të marrë zhvillim, sepse u pengua. Theatri mbeti vetëm mbi baza diletante dhe shumë të ngushta. Puntorë dhe të rinj me tendenca progresiste organizuan mbi baza vullnetare grupe diletante në Korçë, Shkodër, Elbasan, Vlorë e tjera. Por regjimi pengonte aktivitetin e tyre dhe shpesh i shpërndante. Me gjithë këtë theatri në të kaluarën ka luajtur një rol me rëndësi në edukimin e masave sepse të rinjtë puntorë e nxënës e konsideronin si aksion kundër regjimit despotik çdo çfaqje theatrale duke e realizuar edhe pse rrezikoheshin të arrestohen. Vetëm grupet theatrale të organizuara nga kleri katolik i Shkodrës vepronin lirisht, sepse repertori i tyre qe me përmbajtje reaksionare.

Partija Komuniste Shqiptare i vuri rëndësi të madhe theatrit si mjet për të mobilizuar masat në luftën për liri. Kështu gjatë luftës Nacional-Çlirimtare filloi organizimi i grupeve diletante nga puntorë e të rinj ndër qytete dhe më vonë në reparte partizane. Çdo repart organizoi grupin e vet që epte çfaqje për partizanët dhe për popullin.

Tematika e theatrit partizan përbëhej prej motivesh të improvizuara nga episodet e luftës kundra okupatorit, nga motive të veprës trathëtare të organizatave reaksionare Balli Kombtar dhe Legaliteti që bashkëpunuan me okupatorët fashistë, e tjera.

Gjatë zhvillimit të punimeve të Kongresit historik të Përmetit, në maj 1944, i cili hodhi themelet e pushtetit popullor, u formua theatri qëndror i ushtrisë partizane. Me çlirimin e Shqipërisë ky theatër u bë bërthama e theatrit profesionist shqiptar.

Theatri Popullor u organizua me vendim të Qeverisë në vitin 1945. Theatri Popullor u bë qëndër e rëndësishme e zhvillimit të artit sqenik në Shqipëri. Artistët më të mirë të vëndit u thirën në Theatrin Popullor, ku ju krijuan të gjitha mundësitë që të zhvillojnë talentet e tyre. Partija dhe Qeverija u interesuan të sjellin regjizor sovjetik që të ndihmojë artistët shqiptarë në vënien në jetë të sistemit të Stanisllavskit dhe në ngritjen e nivelit artistik të tyre. B.R.S.S.-i ka dërguar në Shqipëri artistin e merituar te R.S.F.S. Ruse, Kriçko qe vuri në skenë komedinë “Revizori” të Nikollaj Gogolit, i cili po jep një kontribut të çmuar në përparimin e math të Theatrit Popullor dhe të të gjithë lëvizjes theatrale në Shqipëri.

Përveç Theatrit Popullor janë ngritur edhe dy grupe theatrale profesioniste në Shkodër dhe në Korçë, dy qytetet kryesore të Shqipërisë, që përfaqësojnë dy qwndra me rëndësi për këtë art, njera në veri dhe tjetra në jugë. Në vitin 1951 u ngrit edhe theatri i kukullave.

Një rrjete e dëndur grupesh diletante është organizuar në të gjithë Shqipërinë. Grupe të tilla kanë qytetet pranë shtëpive të kulturës dhe klubeve të Bashkimeve Profesionale. Gadi çdo kolektiv punonjës i ndërmarrjeve ka grupin e vet theatral. Edhe rinija ka organizuar shumë grupe të vetat, kurse në ushtri çdo repart ka grupin e vet diletant. Rrjeta e theatrave diletante është shtrirë shumë edhe në fshatra, ku në të kaluarën theatri qe krejt i panjohur. Atje pranë shtëpive popullore të leximit janë ngritë të parat grupe diletante të cilat çfaqin skeçe të ndryshme sovjetike dhe origjinale. Por ndër fshatra japin çfaqje shpesh edhe grupet theatrale të shtëpive të kulturës, grupet theatrale profesioniste dhe Theatri Popullor, i cili çdo vit bën turneun nëpër Shqipëri duke dhënë çfaqje deri në malësirat më të largëta.

Tematika e theatrit në Shqipëri është në lidhur me problemet e mëdha të ndërtimit socialist të vëndit dhe të mbrojtjes së paqes. Kështu theatri është bërë një mjet i fuqishëm edukimi. Repertori përbëhet nga pjesë sovjetike, origjinale dhe progresiste. Ndër pjesët sovjetike të cilat zënë vëndin e parë janë çfaqë “Guvernatori i Provincës” dhe “Çështja ruse” të K. Simonov, “Karakteri Moskovit” e Sofronov, “Zëri i Amerikës” e Lavrentiev, etjera, nga pjesët e shkrimtarve progresistë “Tartufi” dhe “Kopraci” të Molierit , “Rënjë të thella” e J. Goy dhe A. d’Jusso, etj. Edhe pjesët origjinale po shtohen. Ngritja e Theatrit Popullor dhe zhvillimi i gjërë i lëvizjes theatrale ka bërë që letërsija dramatike që në të kaluarën ka qënë mjaft e varfër të vihet në udhën e një zhvillimi të shpejtë. Pas çlirimit janë shkruar disa drama, komedi dhe shumë skeçe aktualiteti. Ndër aktorët e këtyre veprave është dalluar Kolë Jakova me dramën e tij historike “Halili dhe Hajrija” që shënon një hap me rëndësi në dramën shqiptare. Janë çfaqë edhe pjesë të Besim Levonjës si drama “Janë plagët që flasin” dhe komedija “Prefekti” dhe pjesë të rilindasve si “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” e A. Z. Çajupit.

Aktiviteti theatral është shumë i gjërë. Theatri është bërë një art popullor që masat e frekuentojnë gjërësisht. Për një aktivizim më të math të grupeve dhe për të ngritur cilësitë e tyre artistike, organizohen olimpiada theatrale. Në vitin 1951 morrën pjesë 20 grupe theatrale në olimpiadë, të cilat u treguan më të mirat ndër më tepër se 400 grupet diletante të Shqipërisë. Për të ndihmuar grupet diletante ngarkohen artistë të Theatrit Popullor dhe të theatrove profesioniste. Për të nxjerrë kuadro drejtuese janë hapur kurse të shkurtëra regjizorësh dhe në Liceun artistik një kurs i përhershëm katër vjeçar. Për kuadro më të larta janë dërguar nxënës në B.R.S.S.

Theatrit i janë hapur perspektiva të shkëlqyera në Shqipëri. Artistët e rinj shqiptarë kanë të gjitha mundësitë që të ecin në traditat e artistit shqiptar me famë botnore Aleksandër Mojsiut dhe t’a çojnë artin sqenik shqiptar përpara, sepse ata ecin në rrugën e artistëve sovjetikë dhe gëzojnë kujdesin dhe përkrahjen e Partisë dhe të Qeverisë.

Lufta kundër “Zërit të Amerikës”

Natyrisht, regjimi i Tiranës kërkonte kopjimin e metodave ideologjike sovjetike kundër “kozmopolitizmit”, që nënkuptonte antiamerikanizëm. Janë fillimet e Luftës së Ftohtë. Në vitin 1947 radiostacioni “Voice of America” (Zëri i Amerikës) kishte filluar transmetimet në drejtim të vendeve të bllokut komunist.

Sipas kabllogramit sekret (sekretno), më 13 mars 1950, hartuar nga sekretari i dytë i misionit sovjetik në Tiranë B. S. Sotin, “Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës për Marrëdhënie Kulturore Shqipëri-BRSS Nasho Nathanaili më kërkoi të ndihmoj për të marrë nëpërmjet VOKS-it (Shoqata mbarë-sovjetike për marrëdhënie kulturore me vendet e huaja) dramën “Golos Ameriki” (Zëri i Amerikës), e cila tani po interpretohet në teatrot e Moskës. Ai njoftoi se Teatri Popullor i Shqipërisë e ka përfshirë tashmë vënien në skenë të kësaj drame në planin e tij dhe duhet të fillojë punën me të në muajin prill”. Në një shënim të Ministrisë së Jashtme të BRSS të 8 prillit 1950 shkruhet se “pjesa “Golos Ameriki” u dërgua”.

(Marrë nga vëllimi 2 i korpusit me dokumente të arkivave ruse “Sovetskiy faktor v Vostochnoy Evrope 1944-1953” – Faktori sovjetik në Evropën Lindore, dok. Nr. 98, faqe 283. Përkthimi i autorit të dossierit).

Dy nga autorët e dramave sovjetike të vëna në T(h)eatrin Popullor

Boris Lavrenjov (1891-1959) – prozator dhe poet, dramaturg, korrespondent ushtarak rus sovjetik. Fitues i dy çmimeve Stalin (1946, 1950). Debutoi si poet në vitin 1911, si prozator më 1924, si dramaturg në vitin 1925. Në vitet 1930-1932 u konsiderohet si një nga krijuesit e zhanrit të dramës heroike-revolucionare sovjetike. Për shumë vite ishte kryetar i seksionit të dramaturgëve në Bashkimin e Shkrimtarëve sovjetikë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte korrespondent ushtarak. Krijimtaria e pasluftës e Lavrenjovit është tërësisht ideologjike, e mbushur me frymën e pushtetit sovjetik. Drama në mbushur me shkëlqim dhe optimizëm “Për ata që janë në det!” (1945) mori Çmimin Stalin (1946), por pas vetëm pas disa viteve vepra të tilla, pa mprehtësinë e vërtetë kolizionit, kritika sovjetike do ta kritikonte ashpër, duke folur për “teorinë e mungesës së konfliktit”. Në vitet 1950-51 në një fushatë kundër kozmopolitizmit u organizua vënia në skenë e dramës me 4 akte dhe 6 tablo “Golos Ameriki” (1949; Çmimi Stalin, 1950). Është një pjesë politike, në të cilën autori, i ngarkuar nga partia, paraqitet si instrument i dukshëm i propagandës së kohës së Luftës së Ftohtë.

***

Anatoli Vladimiroviç Sofronov. Shkrimtar, poet, përkthyes dhe dramaturg, skenarist, figurë publike, gazetar rus sovjetik. Dy herë fitues i çmimit Stalin për letërsi dhe art (1948, 1949). Hero i Punës Socialiste (1981). Në vitet 1948-1953 ishte sekretar i Bashkimit të Shkrimtarëve të BRSS. Aktiviteti i Sofronovit në vitet 1940-50 ka shkaktuar një seri vlerësimeve negative: Sofronovi kishte reputacionin si “stalinisti më konsekuent dhe antisemit në literaturën sovjetike”, është konsideruar si “një prej xhelatëve më të tmerrshëm letrarë të epokës staliniste”.

Ka nënshkruar letrën e një grupi shkrimtarësh sovjetikë në gazetën “Pravda”, më 31 gusht 1973, kundër Solzhenicinit dhe Saharovit. Kjo letër dënonte “sjelljen e njerëzve të tillë si Saharovi dhe Solzhenicini, që shpifin ndaj rendit tonë politik dhe shoqëror, duke u përpjekur të krijojnë mosbesim në politikën paqësore të shtetit Sovjetik dhe në thelb duke i bërë thirrje Perëndimit të vazhdojë politikën e ‘luftës së ftohtë’”. Pjesa “Karakteri moskovit” (shkruar në vitin1948, u vu në skenë për herë të parë, po në vitin 1948).

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *