Bisedat me Aristidh Kolën për Kosovën dhe Amerikën

Figura të kulturës të diasporës shqiptare

Prof. Nasho Jorgaqi

Vijon nga numri i kaluar

Loading...

Më tha se i pëlqente piktura, bile pikturonte, kish shumë për zemër ngjyrat, e joshnin linjat, i pikaste tiparet e portreteve njerëzore. Kish filluar që të vizatonte që fëmijë dhe tani pikturonte me ngjyra vaji ose akuarele, peizazhe dhe portrete, të cilat ia pëlqenin miqtë, madje dhe piktorët. M’u kujtuan disa piktura të varura në studio dhe, nga ç’më tha, mora vesh se ishin të tijat. Por si ngaherë modest, Aristidhi, gjithë sa kish krijuar në këtë fushë, e quante një hobi. Ishin këto intervale relaksuese përgjatë punës së mundimshme të studimeve shkencore, të cilave ai u qe përkushtuar. Pastaj, si me druajtje, nxori nga xhepi një libërth dhe ma zgjati. “Kjo është një përpjekje tjetër veç pikturës, që bëj me sa mundem. Jam dhe unë një çikë poet. Më shtyn sidomos gjuha e mëmës.” Ishin vargje të shkruara në të folmen arvanitase, vjersha të thjeshta, por të ndjera e të sinqerta, të frymëzuara nga bota e bashkësisë së tij. Edhe pse gjuha e mëmës kish humbur shumë nëpër shekuj nga thesari i saj, prapë i kishin mbetur aq fjalë sa për të shprehur dashuri e mall, gaz e derte e, pse jo, edhe momente nga jeta dhe historia e arvanitasve. Këtë do ta kuptoja kur Ari nisi të më recitojë vargje të tijat, ku ndjehej, më shumë se poeti, këngëtari i shpirtit dhe i vatrës së vendlindjes. Më mbeti në mendje sidomos vjersha “Rrënja jonë arbërore”, ku, mes të tjerash, thoshte: “Rrënja e fortë arbërore/ Kush mund të të presnjë/ Kush mund të të fshehnjë/ Rrënjë e fortë arvanite/ Rrënjë e burrave të motit/ Rrënjë e Aleksandrit dhe e Kastriotit/ Rrënjë e fortë shqiptare/ Rrënjë e fortë besëlidhës/ Rrënjë e fortë, rrënjë e argjendë/ Hape dhenë e çajte gurin/ Dhe në diell nxore kurmin.”

Gjithë frymëmarrja e vjershës ishte krenaria për prejardhjen, qëndresa për të mos u dorëzuar, mbajtja fort pas rrënjëve të lashta. Por ajo që më habiti më pas, teksa më rrëfente për veprimtarinë e tij të gjithanshme, ishte se, veç vjershave që shkruante, ai kish në përfundim e sipër romanin “Marko Boçari”, kushtuar heroit të vet të preferuar të epopesë së Njëzetenjëshit. “Nuk e di se çfarë kam gatuar nga ana letrare, por historikisht i kam dhënë atë që meriton. Është një hero që të magjeps me bëmat trimërore dhe mençurinë e pashoqe. “Sigurisht që e kish shkruar greqisht dhe ëndrra e tij ishte të përkthehej në shqip.

Duke biseduar pastaj për letërsinë në gjuhën arvanitase, mora vesh se ajo është kryesisht letërsi folklorike dhe pak ose aspak e kultivuar. Letërsia e kultivuar në këtë gjuhë thuajse nuk ekziston, ndryshe nga ç’ndodh me letërsinë e arbëreshëve të Italisë. Në të folmen e vatrës arvanitase vazhdojnë të këndojnë poetë popullorë, kurse ajo e kultivuara shkruhet në gjuhën greke. Poezia dhe proza popullore e tyre është e pasur dhe përfaqësohet thuajse nga të gjitha trevat, ku flitet gjuha e mëmës. Vitet e fundit qenë botuar disa Salltari apo “Këngë arvanite”, në dy vëllime, nga Marie Dede, pa harruar një vëllim me vjersha të poetit të vjetër nga Salamina Mitro Truqi. Vjersha në të folmen arvanite, të shkruara me alfabet grek, botonte herë pas here në faqet e saj edhe revista “Besa” e Aristidhit. Sigurisht, të gjitha këto përpjekje për mbijetesë mbeteshin ishuj të veckël në detin e kulturës greke. Aristidhi me shokë qenë të ndërgjegjshëm për këtë, por prapë tregoheshin optimist. “Historia-më tha Ai,-dëshmon se nuk është në natyrën e farës së racës sonë që të dorëzohemi. Ne që kemi rezistuar në aq shekuj e me aq halle, tani në erërat evropiane emancipuese që fryjnë, kemi shpresa dhe besim. Ç’të keqe ka diversiteti i gjuhëve, i kulturave, i traditave zakonore, i mënyrës së jetesës? Veç të mira sjell në një bashkëjetesë normale.”

Aristidhi ishte një njeri me horizont dhe kjo vinte jo vetëm nga inteligjenca e bota e pasur shpirtërore, por dhe nga kultura që zotëronte. Studimi serioz i historisë e bënte formimin e tij të besueshëm e të respektueshëm. Këto mendime më vërtiteshin në kokë në ato orë të vona të natës, kur dëgjoja Aristidhin tek më fliste, ashtu siç dinte ai, qetësisht dhe urtësisht. Dhe kjo ndodhte sipër një kodre, në një nga ballkonet e Likavitos, ndërsa poshtë shtrihej madhërisht nata magjiplotë athiniote.

3.

Ngjarjet e fundit të Luftës së Kosovës në pranverë-verë të vitit 1999 mua më gjetën në Greqi. Kisha shkuar rishtazi i ftuar nga njerëzit e Fan Nolit, por kësaj here jo në Trakë, por në Selanik. Dhe ndodhi një koincidencë e bukur. Përsëri në bisedat tona u gjend Aristidh Kola, i cili ishte kthyer në mediat greke në personazh të ditës për shkak të ngjarjeve të Kosovës. E gjithë politika dhe tok me të dhe mediat, merreshin me to dhe kjo e kish sensibilizuar së tepërmi opinionin grek. Flitej e diskutohej për një solidaritet ortodoks me Serbinë motër kundër Kosovës myslimane, e cila rrezikonte paqen dhe stabilitetin në Ballkan. E mbi të gjitha, ndërhyrja e forcave të NATO-s e kish ndërlikuar në kulm situatën politike dhe psikologjike. Në ekranet televizive dhe në stacionet radiofonike greke, gjithë ç’ndodhte në Kosovë, përbënte temën kryesore të ditës. Unë, megjithëse nuk e dija gjuhën, me ndihmën e Ksanthisë, stërmbesës së Nolit, ndiqja situatën nga ekrani i vogël, veçanërisht darkave, kur në emisione të posaçme zhvilloheshin debate për Kosovën. Në to do shfaqej herë pas here Aristidhi, sidomos në stacionet e njohura, si “Sky” dhe “Kanali 5”. Figura dhe fjala e tij do të ktheheshin për mua në ngjarje emocionuese, që i përjetoja thellë. Ishte ai, Ari, jo vetëm lideri i arvanitasve, por dhe miku im, që dilte e fliste me një zë të vetin, krejt ndryshe nga të tjerët, duke u përballur i vetëm kundër të gjithëve, si i vetmi trim në luftë. Një ndeshje kjo skajshmërisht e pabarabartë, po të merrje parasysh përbërjen e panelit përballë tij, të përfaqësuar nga deputetë, profesorë, gazetarë e politikanë. E ndiqja me aq vëmendje e shqetësim, sa më vinte të thërrisja. Por ai s’desh t’ia dinte dhe kjo më jepte kurajo e forcë. Më pas do të lehtësohesha, kur në krah të tij do të viheshin dhe dy intelektualë të tjerë arvanitas, Jorgo Miha dhe Jorgo Gurasi. Por zëri kryesor gjithnjë do të mbetej Aristidhi. Ishte ai që i bënte mbrojtjen politike dhe historike luftës që zhvillohej në Kosovë, ndërhyrjes së drejtë të NATO-s, qëndresë heroike të UÇK-së, duke e dënuar e stigmatizuar aventurën e çmendur të Millosheviçit dhe masakrat e tij makabre ndaj Kosovës martire. Ajo që më bënte përshtypje do të qe kurajoja dhe vendosmëria e mençur e Arit, argumentimi serioz dhe dinjitoz i çështjeve që shtronte nga pozita e politologut dhe e historianit, toni polemist dhe patosi i përmbajtur, larg çdo retorike nacionaliste. Ai zbulonte dhe motivonte para opinionit grek të vërtetën për Kosovën, për autoktoninë e saj. Tregonte se Kosova është Dardania ilire, se kosovarët janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të ilirëve, se ata jetonin prej mijëra vjetësh në tokën e tyre dhe kishin të drejtën historike të qëndronin aty në trevat e veta, ku dëshmonte qartazi historia dhe arkeologjia shkencore. Nga ana tjetër, Aristidhi hidhte poshtë të ashtuquajturat argumente fetare, duke arsyetuar se proceset historike nuk përcaktohen vetëm nga feja, por mbi të gjitha nga faktorë të tjerë të qenësishëm, që përbëjnë rrënjët e vërteta të popujve.

Duke ndjekur ato ditë debatet që zhvilloheshin në mediat greke për Kosovën dhe kundërvënien kurajoze të Aristidhit, nuk mund të mos prekesha nga qëndrimi i tij, kur mendoja se sa vizionar qe treguar ai në librin “Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit”, botuar katër vjet më parë. Situata e krijuar e kish gjetur Aristidhin të përgatitur, sepse jo vetëm kish mbrojtur kauzën e saj, por kish paralajmëruar, mbi bazën e analizave realiste, se shpejt do të vijë dita që nga Kosova do të varet fati i Ballkanit dhe se politika greke kish hyrë në një rrugë të gabuar. Koha dhe argumentet e reja që ai sillte në debate, do t’i bënin kundërshtarët e tij të nervozoheshin e të çarmatoseshin në një farë mënyre. Në mungesë të kundërargumenteve, ata do të kalonin në akuza, shpifje deri dhe kërcënime, duke e quajtur “tradhtar të Greqisë”, “spiun të NATO-s”, “agjent të Shqipërisë”. Bile një gazetare arriti deri aty sa t’i thotë “Ju akuzoj si agjent të të huajve, agjent të UÇK-së, ju akuzoj për agjenturë dhe propagandë të zezë, jeni armik…”

Duke u bërë dëshmitar në distancë i situatave të tilla, nuk mund të mos e vija re qetësinë burrërore të Aristidhit, përgjigjet e mençura, qëndrimin dinjitoz. Kjo nuk qe një “kokëshkrepje”, siç do ta cilësonte ndonjë, por një akt plot integritet moral e intelektual. Ishin këto beteja të pabarabarta, që u përsëritën jo një herë, por shumë herë, ndeshje të ngarkuara me rreziqe, beteja me kokë në torbë, që vetëm një karakter i fortë si Aristidhi mund t’i përballonte me sukses. Dhe sa herë i sjell ndërmend ato net të ndezura e guximplotë, çuditem se ç’është në gjendje të bëjë njeriu kur ka me vete të vërtetën dhe mbron një çështje të drejtë. I tillë ishte Aristidhi në ato situata, që më shfaqeshin para syve dhe që më kishin bërë për vete si kurrë ndonjëherë. I prekur dhe i entuziazmuar, përpiqesha t’i ndaja mendimet dhe emocionet e mia me Ksanthinë, që kish në deje gjakun e Nolit, por jo më tej, duke e njohur fanatizmin e opinionit grek që kisha përqark.

Ndërkaq, më hipi një dëshirë e papërmbajtshme për të komunikuar me Aristidhin. I gjeta numrin e telefonit dhe nuk vonova ta marr. Do të dëgjoja zërin e tij me atë të folmen karakteristike me tingëllim arvanitas, një zë i ngrohtë, me një duf të përmbajtur. “Të lumtë, Ari, po e bën fora”, i thashë, kurse ai ma priti: “Lëre, lëre se ç’bëhet këndejza nga Athina.” “Luftë”, plotësova unë. “Luftë me fjalë, -dëgjova të thotë,-se luftë e vërtetë bëhet në Dardani.” Folëm gjatë, po unë isha aq i mallëngjyer, sa nuk i kujtoj dot tani të gjitha. Mbaj mend vetëm fjalët që më tha: “Dëgjo, të pres të vish në Athinë. Të lutem hajde, se kemi ç’bisedojmë. Kemi edhe ç’të bëjmë bashkë.” E ç’mund të bënim bashkë? Për këtë desha ta pyesja, por ai nuk më sqaroi. Me kaq u mbyll biseda dhe u këput lidhja. Pasi lashë receptorin rashë në mendime. Vërtetë, ç’mund të bëja unë për të në situatën e ndezur politike, në pozitën që ai ndodhej e aq më tepër kur zura ta mendoja se ç’ndodhte dhe me mua në prapaskenë. Ato ditë do të merrja vesh se shërbimet greke më kishin vënë në rreth të kuq, me që merresha me gjurmimin dhe studimin e jetës së Fan Nolit. Më dukej absurde, por ja që këtë e kisha ndjerë dhe në Trakë, kur kisha shkuar. Noli, për qarqet ekstreme greke, qenkësh armik i Greqisë (!), pasi ai, sipas “Enciklopedisë së Madhe Greke” , ishte bërë shkaktar që Vorioepiri i qe bashkuar padrejtësisht Shqipërisë. Një situatë që dukej absurde, por që nuk mund të shpërfillej. Megjithatë, unë s’mund ta bëja veshin shurdh para thirrjes që më dërgonte miku im nga Athina. Madje nuk duhej të vonohesha dhe, pas dy ditësh, i hipa trenit dhe shkova. Ai kish dalë të më priste me makinë në stacion. U takuam gjithë mall dhe s’dinim nga t’ia fillonim bisedës. Me ato që kishin ndodhur, shtati i Arit sikur ishte rritur në sytë e mi. Po ai kish mbetur Ari, gjithnjë i dashur e i thjeshtë, me atë buzëqeshjen që s’mund të merrej me mend ndryshe. I thashë: “Je bërë hero i ditës”, kurse ai, duke lëvizur duart timon, me sytë përpara, ma priti: “E ç’hero zeza jam unë. Heronj janë trimat e UÇK-së…Herkula të rinj.”

Sepse m’u duk më i gjallë dhe më i çlirët se në takimet e tjera. Ndjeja optimizmin e tij të brendshëm, që nuk e shfaqte me fjalë. Kësaj here s’ishte studiuesi meditativ, por njeriu i veprimit, që vinte nga ndeshjet dhe përballjet me sheshin e debateve me kundërshtarë dinakë e të rrezikshëm. Po, nga ana tjetër, vëreja se ishte i dobësuar dhe pak i lodhur. “E dija se shkoja në gojën e ujkut,-më tha,-po s’kisha ç’bëja. Nuk mund të zmbrapsesha. E drejta lipset mbrojtur me çdo çmim.” Dhe ndërsa ai ngiste makinën, unë mendoja për “betejat” e kanaleve televizive, siç do t’i quante ai. Më duhej të prisja. Duke e njohur natyrën e tij, e dija sa serioz e i matur tregohej në hapat që hidhte.

Si kaluam bulevardin, kthyem në sheshin “Vuthis” dhe u futëm në një rrugë dytësore, ku u sistemova në hotelin me emrin e sheshit. “Pusho ca,-më tha,-dhe vij pastaj të marr në të ngrisur.” Desha të kundërshtoj, por ndërrova mendje, duke menduar për angazhimet e tij. Në mbrëmje, sipas fjalës, erdhi e më mori. Dolëm në këmbë, duke ecur nëpër një rrugë të kalldrëmtë, që na nxori te një shesh plot drita shumëngjyrëshe, rrethuar me lokale e dyqane luksoze. Çapiteshim thuajse pa folur dhe kjo heshtje sikur e rriste padurimin tim. Më në fund u ndalëm para një lokali që vezullonte nga dritat e neoneve, me dritare të mëdha, që shikonin nga sheshi. “Dëgjo,-më tha kur morëm të hyjmë,-po të sjell në lokalin e vipave të politikës. T’i shohësh me sytë e tu surratet e tyre” dhe më vuri krahun. Para nesh u hap një sallë e madhe me llambadarë e tavolina të rrumbullakëta, ku dallonin disa prej tyre. Qenë disa nga kundërshtarët politikë të Arit. Ishte vërtetë një pamje elitare jo vetëm nga veshja dhe performanca, por edhe nga mënyra si flisnin e komunikonin me njëri-tjetrin. Menjëherë vura re se hyrja e Aristidhit u tërhoqi vëmendjen. Sytë e tyre kureshtarë, tek përshkuam rruginën e shtruar me tapet të kuq, u drejtuan nga ne deri sa u ulëm në një kënd të sallës. Aristidhi, i qetë si gjithnjë, thithte llullën dhe shikonte nga unë. “Këta janë ata…,-më pëshpëriti. –Me këtë të tavolinës së parë kam shkëmbyer sa e sa fjalë të egra te “Sky”. Janë ata birdo, që në vend të shohin gjakun e kosovarëve të pafajshëm dhe lotët e fëmijëve e të nënave, numërojnë bombat e NATO-s dhe i quajnë herkulët e rinj të UÇK-së banditë.” Unë i vëreja me kujdes dhe kuptoja se ardhja e Arit me një të panjohur kish të ngjarë t’i kish provokuar tërthorazi. Dhe kjo sikur e gëzonte mikun tim. Pasi i dhamë porosi kamarierit, Ari, duke mbajtur llullën në dorë, nisi bisedën për të cilën më kish ftuar: “E di pse të mundova deri këtu? Të bëjmë bashkë një punë të mirë për atë që i dhëmb zemra gjithë farës sonë. Për Kosovën, për atë që ndodhi e po ndodh atje. Ti vjen nga Shqipëria, që priti krahëhapur afro një milion të mëdhenj e të vegjël nga eksodi biblik, që çuditi e tronditi botën. Ti vjen këtu e dëshmon ato bëma të zeza që kanë ndodhur e ndodhin sot në Kosovë, për të cilat opinioni në Greqi nuk di pothuajse asgjë ose i di shtrembër. Këtu njerëzit janë të droguar nga propaganda fanatike. Kam menduar që unë e ti të dalim bashkë në televizion e të flasim. Fjala jote si shkrimtar e profesor do të ketë atë peshë që s’e ka fjala ime dhe e shokëve të mi…Si thua?”

Megjithëse më kish shkuar mendja për sa më tha, prapë ndjehesha i prekur nga mënyra se si foli, nga ai përkushtim shpirtëror, që i shprehnin sytë, zëri, pamja e përndezur e fytyrës, buzëqeshja e tij e pandarë. “Them,-iu përgjigja pas një hopi,-se është një ide shumë e mirë. Mua më ke të gatshëm në çdo kohë. Gjithë puna qëndron sa është e mundur të realizohet kjo. Nga sa më tregove ti, këtu atmosfera është mbytëse. A thua do të gjejmë mirëkuptim me kanalet televizive?”

Ai thithte llullën dhe më vështronte në sy. “Unë dorëzohem në besën tënde, siç thonë andej nga malet tona”, shtova për të shmangur çdo hije dyshimi. “Të gjitha këto i kam menduar,-tha. –Rëndësi ka që ti erdhe dhe unë dua të shpresoj.”

Me këto fjalë e mbylli Ari këtë bisedë dhe zuri të më pyesë për të rejat e Kosovës dhe të kosovarëve, që unë kisha sjellë me vete. Dhe unë fillova t’i tregoja për ngjarje e personazhe të dëgjuara e të përjetuara nga drama e eksodit kosovar. I fola për kalvarin e tyre, siç i tregova për mikpritjen që i bëri gjithë Shqipëria. U desh kjo tragjedi, që shqiptarët e dy anëve të takoheshin, ta shihnin e ta dëgjonin njëri-tjetrin kokë më kokë. Nuk e kisha parë ndonjëherë Aristidhin aq të përqendruar e të përhumbur dhe aq të mallëngjyer tek flisja e tregoja unë. U desh kohë që ai të rimarrë veten dhe ta dëgjojë zërin e tij: “Ja, për këto rrëfime kanë nevojë njerëzit e ndershëm këtu. Të marrin vesh si është realiteti i Kosovës.”

Më pas folëm për ndërhyrjen e NATO-s dhe rolin vendimtar të SHBA, pa të cilin nuk mund të gjente zgjidhje kriza e dhimbshme e Kosovës. “Ti nuk e di, -më tha papritur Aristidhi,-që unë kam qenë antiamerikan, kurse me këtë gjest Amerika ma ktheu mendjen dhe i jam mirënjohës. Nuk duhet ta harrojmë se një fat i tillë çdo populli i vjen një herë në njëqind vjet. Kështu i erdhi dhe kombit shqiptar.” Nga biseda e tij atë natë do të merrja vesh se kjo ngjarje historike e kish joshur e tronditur aq shumë sa, gjithë ç’kish ndodhur e përjetuar, i kish hedhur në letër dhe prej kësaj kish dalë “Ditari i Kosovës”, që ai e kishte akoma nëpër duar. Pastaj më tregoi për revistën e tij të re “Arvanon”, që, pasi qe mbyllur “Besa”, e kish nxjerrë me shpenzimet e veta. Në kopertinën e një prej numrave të revistës, siç më tha, kish shkruar me gërma të mëdha “Edhe unë jam kosovar.”

Dhe sikur të mos mjaftonin ato që kish thënë nëpër ekranet televizive, do të duhej dhe ky gjest, që Aristidhit t’i ngrihej një stuhi tjetër reagimesh e kërcënimesh. Më kujtoi një varg artikujsh të helmatisur, të botuar kundër tij në gazetën ekstremiste “Stohos”, duke e kërcënuar bile dhe me vdekje. Pa harruar pastaj problemet dhe paralajmërimet telefonike, vënia e dinamitit makinës së tij dhe, ç’është më e çuditshme, disa zëra paloarvanitas që i kishin dërguar, duke e quajtur bukëshkalë të Helladës! Çuditërisht, gjithë rrëfimi i tij rridhte i qetë, ndonjëherë dhe me ndonjë të qeshur, por njerëzisht e burrërisht. Nuk kish tek ai zemërim e aq më tepër urrejtje, por vetëm bindje e vetëbesim në rrugën që ish future për mbrojtjen e një lufte të drejtë. Tek e dëgjoje, harroje se ai njeri e kishte vënë jetën në rrezik, se, duke u përballur me rreziqe reale, ai qe kthyer nga një intelektual, studiues e krijues, në një luftëtar të vërtetë. Ndoshta, mendoja në çastin kur morëm të ngriheshim, Arin e kish thirrur në betejat që kish ndërmarrë, kushtrimi i të parëve. Dhe në këtë mes isha i bindur se nuk kish asnjë dalldi romantike. Ishte qytetari mendjehapur, human e kurajoz që, ndonëse fati a rrethanat e kishin hedhur në një mjedis mendjengushtë e plot paragjykime, ai i qe blatuar idealit të tij human.

Me këto mendime rashë të flija, për ta mbajtur frymën të nesërmen nga dreka për tek zyra e Aristidhit. Atje gjeta plot njerëz që silleshin rreth tij. Më dukej sikur këndonte gjithë studioja nga zërat në gjuhën shqipe. Ishin disa prej miqve emigrantë të Arit, që kishin ardhur për mitingun e Kosovës, që do të organizohej të nesërmen në sheshin Omonia. Ata po përgatisnin pankarta, parulla, flamuj shqiptarë me ndihmën kryesisht të të zotit të shtëpisë, të asaj shtëpie, që e mbante gjithnjë hapur derën për vëllezërit e tij të gjakut. Aristidhi, sapo më pa, buzëqeshi, u ngrit nga tavolina dhe më futi në kthinën e bibliotekës. Aty u ulëm përballë njëri-tjetrit dhe, që me vështrim të parë, vura re një hije në fytyrën e tij. E pikasa instinktivisht se ç’do të më thoshte, veç kur dëgjova: “Ajo punë që llafosëm mbrëmë nuk bëhet…E shkelën llafin. Nuk bëhet gjë me këta mavri gazetarë…” Unë mbeta për një çast. Më tronditi pamja e Arit. “Ç’të të them,-dëgjova rishtazi zërin e tij të përvojtur.-Më vjen shumë keq që të munduaç ty të vije deri këtu. S’kemi gjë në dorë, veç të vërtetën, i dashur vëlla.”

Nuk e kisha parë ndonjëherë fytyrën e tij aq të mërzitur. Unë e njihja buzëqeshjen e Arit, jo mërzinë dhe s’dija si ta ngushëlloja për një çast. Pastaj më erdhën fjalët dhe i thashë: “E ç’është mundimi im që erdha deri në Athinë para asaj që po bën tit ok me shokët e tu këtu për Kosovën. Këtë do ta tregojë mitingu nesër!” Dhe vërtetë, mitingu i organizuar me aq kujdes dhe përkushtim, doli me sukses të plotë, qoftë nga pjesëmarrja, nga entuziazmi, nga fjalët që u thanë. I gjithë sheshi jehoi nga thirrjet për Kosovën. Tek ktheheshim, si mbaroi mitingu, dhe shihja Arin që gëzonte si fëmijë, nuk m’u ndejt pa thënë: “Unë do të isha vetëm një zë, po të na kishte pranuar ndonjë nga kanalet televizive, kurse djemtë e tu thirrën me qindra zëra!” Ari më vështronte me sytë e tij të ngrohtë dhe më buzëqeshte. Kur do të kthehesha për në Tiranë, erdhi të më përcjellë. Që në pamje të parë e lexova mallëngjimin e mikut tim. Prandaj dhe fjalët qenë të kursyera. Pastaj nxori nga çanta ca dhurata simbolike si dhe diskun me këngë arvanitase “Trandafilat e shkëmbit” dhe numrin e ri të revistës “Arvanon”. “Ky është numri i fundit,-më tha me sytë përdhe.-E mbylla me kaq dhe kjo jo për arsye financiare. Nuk jam mirë nga shëndeti, po më lënë këmbët, por jo shpirti. Tani po i jap dorën përfundimtare librit për Papa Ndonin. Më tutje s’di ç’të them.” Ishte fjala për monografinë që kish shkruar “Antonio Belushi dhe magjia e traditës popullore”, një vepër kushtuar dijetarit arbëresh e priftit misionar, i cili në vitet 60 kish identifikuar katundet arbërore të Greqisë dhe kish mbledhur, botuar e studiuar traditat e tyre popullore.

Kështu do të ndahesha me Arin te sheshi “Vathis”, atë ditë maji të vitit 1999 mes emocionesh, por dhe parandjenjash të trishtuara. Një vit më pas më erdhi lajmi se libri i Arit për Papa Ndonin ishte promovuar në prani të këtij të fundit, por në mungesë të autorit. Aristidhi ndërkohë ishte shtruar në spitalin “Evangjelizmo” të Athinës, ku disa muaj më vonë, një ditë tetori të vitit 2000, mbylli sytë përgjithnjë në moshën pesëdhjetë e gjashtë vjeçare. Mbi një mijë veta, arvanitas dhe shqiptarë, e kishin përcjellë mikun e tyre të shtrenjtë për në banesën e fundit. Pas Aristidhi kish lënë gruan, Nensin, djalin, Panajotin, vajzën, Poliksenin, dhe një varg veprash albanologjike në dorëshkrim.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *