Kur shqiptarët bëhen bashkë, janë të respektueshëm. Veç e veç ndikojnë për asgjë

Një pamje interesante ishte ajo e Edi Ramës në Bruksel i rrethuar nga politikanë të rëndësishëm italianë si Antonio Tajani, i përzgjedhuri i Silvio Berluskonit për të qenë eventualisht edhe kryeministër i Italisë, Komisarja për politikën e jashtme të BE-së, Federica Mogherini, Në një takim të moderuar nga një gazetar i njohur italian, së fundmi nën petkun e një parlamentari europian.
Batuta fillestare e Ramës në italisht e më pas e ktheu në anglisht e shpjegon qartë dhe botërisht se mbështetësit kryesorë të çeljes së negociatave me Unionin janë italianët. Rama tha se po vijoj në anglisht, se qëllimi ynë është që Shqipëria të integrohej në BE sepse në Itali, shqiptarët ishin integruar me kohë. Ishin italianët që e sponsorizuan këtë dalje të kryeministrit Rama në të cilën ai shpalosi qartazi aspiratën e qeverisë shqiptare për të çelur negociatat (jo anëtarësuar-saktësoi ai) në Bashkimin Europian, prej nga pret një përgjigjie pozitive në takimet e mëvonshme që pritet të realizohen në muajt prill, maj dhe qershor .
Mbështetja italiane nuk ka thjesht karakter simbolik: Italia ofron mbështetjen e saj të dukshme për Shqipërinë, ndonëse është vendi i parë pritës i valës së problemeve që sjell Shqipëria për trafikun njerëzor dhe atë të substancave narkotike, etj. Dukshëm mbështetja italiane ndaj aspiratës europiane të Shqipërisë ka karakter gjeopolitik. Në këtë kontekst, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Mogherini nënvizoi dy nga pikat e forta të vendit tonë në ktë proces:politika e jashtme e Shqipërisë dhe reforma në drejtësi.
Politika e jashtme e Shqipërisë
Në 100% të qëndrimeve të forta të Bashkimit Europian përkundrejt zhvillimeve në rajon dhe në botë, Shqipëria është rreshtuar pa ngurimin më të vogël në krah të BE-së, veçanërisht në drejtim të sanksioneve kundër Rusisë. Kjo pikë e fortë e Shqipërisë nuk interpretohet kaq ngushtësisht sa statistika e mësipërme nga zyrtarët e Brukselit. Në lëmin e diplomacisë shqiptare ka dhe një moment të dytë i cili nuk është kaq linear: Shqipëria po luan me atë që është aktualisht shqetësimi kryesor europian në rajon: angazhimi i aktorëve të fuqishëm globalë në Ballkan si Rusia, Kina, edhe Turqia. Në këtë kontekst, Shqipëria “kërcënon” Bashkimin Europian se çdo vonesë në politikat e afrimit të Unionit me vendet e tjera të Ballkanit mund të krijojë hapësira në favor të këtyre lojtarëve globalë. Rama në të vërtetë nuk kufizohet vetëm tek fjalët sepse kjo qeveri është duke “flirtuar” me këta aktorë globalë: Ka marrëdhënie të mira me Turqinë, e cila po bëhet e pranishme në investime të rëndësishmë në Shqipëri. Po ashtu edhe Kina, ndonëse jo investime publike, përfaqsohet në vepra infrastrukturore të rëndësishmë sikurse Aeroporti “Nënë Tereza”, i cili u ble nga një kompani kineze. Edhe e ashtuquajtura ‘çështje e brendshme’, por që ka rezonancë jasht hapsirës shqiptare sikurse skandali i financimit të lobingut të kreut të PD-së Lulzim Basha me ndërmjetësimin e rusëve, është një temë ndonëse cinike që favorizon performancën e Shqipërisë në raport me BE-në. Shikoni, rusët po mbështetin krahun tjetër, madje paradoksalisht për të blerë suport amerikan për ta!
Në lëmin e politikës së jashtme, një vëmendje të posaçme fitojnë edhe raportet e Shqipërisë me Greqinë fqinje. Sikurse u pranua edhe nga eurodeputetët grekë të pranishëm në prezantimin e Ramës, marrëdhëniet mes dy vendeve janë duke njohur një fazë të re normalizimi, e cila dhe kjo përbën një pikë tjetër në favor të vendit tonë.
Reforma në drejtësi
Në aspektin e reformës në drejtësi, e cila zë një vend të konsiderueshëm në kapitujt e librit të negociatave me Bashkimin Europian, Shqipëria qëndron shumë hapa përpara krahasimisht me vende si Serbia dhe Mali i Zi. Ishin vetë drejtuesit e BE-së, Tajani e Mogherini, që e cilësuan reformën në drejtësi si “të paimagjinueshme” më parë. Madje edhe kryeministri Rama, foli me një krenari të papërmbajtur teksa përmendi kompetencat kushtetuese të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (pra të huaj që parashikohen në kushtetutë) në zbatimin e reformës në drejtësi. Rama mori me vete në Bruksel edhe bilancin e ndrojtur të efekteve të para të Vettingut, që nis me numrin e konsiderueshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rangut të lartë që kanë vendosur të dorëhiqen për t’iu shmangur nënshtrimit ndaj këtij procesi.
Falë këtyre 2 pikave të forta, Shqipëria synon që të jetë në një hap me ecurinë e procesit të integrimit me Malin e Zi dhe Serbinë. E kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme: kështu shmanget ajo që ishte dhe shqetësimi më i madh: mbetja pas vendeve fqinje në procesin e anëtarësimit në BE. E vërteta është se rreshtimi i Shqipërisë në krah të Serbisë dhe Malit të Zi në procësin e anëtarësimit ka dhe oponentët e saj. Një ndër to është Franca e cila po përballet me një numër të konsiderueshëm azilkërkuesish shqiptarë. Bashkë me të mendohet se është edhe Gjermania që mund të krijojë vonesa, së bashku me Hollandën eventualisht.
Shqipëria madje me reformën në drejtësi që zë një numër të madh kapitujsh në librin e negociatave është më para se Serbia dhe Mali i Zi. Megjithatë në favor të Shqipërisë qëndron edhe një tjetër faktor: çështja e Kosovës, mosnjohja e së cilës si shtet i pavarur mbetet ende një problem për Serbinë duke i krijuar ndalesa eventuale. Për këtë arsye presidenti Vuçiç është përfshirë në mënyrë të ethshme në një seri takimesh me homologun e tij kosovar- në mënyrë të fshehtë në Nju Jork-thonë kundërshtarët e tij, por edhe në takime publike, teksa po punon paralelisht edhe me faktorin e brendshëm serb për dialogun me Kosovën.
Pikërisht në këtë kontekst u zhvillua edhe votimi i ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, i cili prodhoi një situatë interesante sa i takon qasjes së partive politike kosovare ndaj saj. Serbët dolën jashtë dhe shqiptarët ja mbërritën të bashkoheshin për një çështje si kjo. Mes partive shqiptare, Vetëvendosja ishte e vetmja që u kthye në origjinë, me gazin lotsjellës, duke kërkuar shtyrjen në afat të pacaktuar të marrëveshjes.
Me këtë sjellje të deputetëve të saj, duket se u thye edhe ajo marrëdhënie që ishte vendosur me Perëndimin me të cilët dukej deri përpara së mërkurës, kishte arritur të krijonte terren. Votimi krijoi kompaktësi të bllokut të qeverisë, me të cilët u bashkua edhe LDK-ja. Ky vit do imponojë sfida të tjera ku do kërkohet konsensus i ngjashëm si Asosacioni, Gjykata Speciale, Marrëveshja me Serbinë, madje pse jo dhe rikompozim të qeverisë.
Megjithë situatën e krijuar prej Vetëvendosjes, Kosova ia doli që të hidhte një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me fqinjët dhe që pritej me padurim nga BE. Kjo jo vetëm si dëshirë për liberalizimin e vizave me Kosovën por si konfirmim i ndikimit që Bashkimi Europian ka në skenën politike të rajonit, duke iu kundërpërgjigjur frikërave për influencë në rritje të aktorëve të tjerë globalë në rajonë.
Për të gjitha këto zhvillime, mund të arrihet në deduksionin se shqiptarët po forcohen në rajon. Diçka që nuk shkakton kënaqësi për të gjithë, madje edhe për disa vende në gjirin e BE-së. Kjo pakënaqësi pati si shprehje më të fundit deklaratën e ambasadorit francez në Shkup, i cili pati rezerva për klimën në të cilën u votua në parlamentin maqedonas ligji për përfshirjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. Pakënaqësi e fshehtë kjo e një pjese të perëndimorëve, për avancimin arrogant të shqiptarëve si komb në rrafsh ballkanik, pakënaqësi që nuk mund të anashkalohet.
Ajo çka është objekt i rëndësishëm diskutimi është fakti se Shqipëria mund të përparojë nëse sinkronizonë retorikën dhe veprimtarinë e vet në rang ndërkombëtar së bashku me shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Vetëm kompaktë, ata mund të marrin maksimumin nga marrëdhëniet e tyre me BE-në apo edhe me aktorë të tjerë. Përçarja i bën ata të jenë aktorë jodomethënës, pa peshë në rajon./ZgjohuShqiptar.info