Pakti detar, Greqia kërcënon me veto në BE

Eurodeputetja Theocharous: Miratoni marrëveshjen. “Der Standard”, shkrim mbi marrëdhëniet me fqinjët
Greqia mund të vendosë veton për çështjen e integrimit në BE, nëse Shqipëria nuk ratifikon marrëveshjen e kufirit detar. Edhe pse nuk ka një qëndrim zyrtar nga shteti fqinj, kjo paralajmërohet nëpërmjet eurodeputetes qipriote, Eleni Theoharoues. Anëtarja e grupit të PPE-së, në një intervistë televizive, i kërkon Tiranës zyrtare të ratifikojë marrëveshjen detare me Greqinë. Në një intervistë për “Klan TV”, deputetja e PE-së shprehet se “Shqipëria duhet ta bëjë këtë në mënyrë që Qipro ta mbështesë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian”.
“Greqia u hapi dyert shqiptarëve në vitet 1990, kur ju sapo kishit dalë nga një shkatërrim total dhe një varfëri e madhe. Greqia strehoi shumë emigrantë. Nuk më duket korrekte tani që të ketë pretendime kundrejt Greqisë apo detit grek. Kjo vjen nga pretendimi që ishulli i Otonisë në veriperëndim të Kërkirës së Korfuzit nuk ka zonë ekskluzive ekonomike. Kjo nuk është korrekte. Sipas të drejtës detare, të gjithë ishujt kanë zonën e tyre ekskluzive. Kështu që Shqipëria duhet të ratifikojë marrëveshjen detare dhe të sillet mirë, që ta mbështesim në anëtarësimin në BE”, deklaroi eurodeputetja. Por deputetja e Qipros në PE, që mbron interesat e Greqisë, harron se marrëveshja “për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, është shfuqizuar si antikushtetuese. Për sa u përket marrëdhënieve Tiranë – Athinë, eurodeputetja e grupimit të djathtë PPE kritikon reagimin e qeverisë greke për zgjedhjen e Shpëtim Idrizit si nënkryetar i Kuvendit, pasi e konsideron ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi tjetër. Nga ana tjetër, ajo thotë se i ka kërkuar Parlamentit Europian të dërgojë një grup eurodeputetësh për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale në Jug të Shqipërisë, pasi ka marrë informacion për manipulim të listave zgjedhore në zonat e minoritetit grek. “Në bazë të këtij informacioni, rezulton se qeveria shqiptare po manipulon zgjedhësit dhe ata nuk mund të shprehin vullnetin e tyre me votë, siç kanë të drejtë ta bëjnë, dhe zgjedhjet nuk do të jenë të ndershme. Kjo është arsyeja për të cilën ngrita shqetësimin gjatë debatit për Shqipërinë. Ndaj dua të trajtohet çështja. Unë dua që të hetohet ky problem dhe të dërgojmë një mision vëzhgimi, në mënyrë që të kemi garancitë e duhura, që zgjedhjet do të jenë të ndershme”.
Eurodeputetja qipriote thotë se këto zgjedhje do të jenë test për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit, pasi do të tregojnë nivelin e pjekurisë së klasës politike shqiptare.
Analiza e “Standard”
Sipas së përditshmes së njohur austriake, “Der Standard”, shkëmbimi i ashpër i deklaratave mes Tiranës dhe Athinës për çështjen e ndarjes së detit, paralajmëron që nëse ndonjë ditë Shqipërisë do i hapet mundësia për të nisur negociatat për anëtarësim në BE, përballë do të ketë Greqinë. “Serbia nuk është më problem për Shqipërinë. Nga perspektiva e Tiranës, tani duhet të shqetësohen më shumë për Greqinë”, thekson gazeta. Ajo paralajmëron se Greqia mund të bllokojë negociatat për anëtarësim në BE të Shqipërisë, duke theksuar se Tirana shpresonte për hapjen e tyre në fund të vitit. “Dhe në lojë janë shumë: në Jon thuhet se ka rezerva të mëdha nafte”, shkruan gazeta, sipas së cilës edhe debatet me sfond çështjen e çamëve e ka keqësuar atmosferën mes dy vendeve. Kërkimet për naftën në detin Jon duket se po vendosin në vështirësi marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Dy vendet anëtare të NATO-s kanë pretendime në lidhje me pasuritë nëntokësore.
“Pas ankesave të palës shqiptare, Greqia ka ndaluar për momentin kërkimet për naftë. Por, Greqia mund të hakmerret ndaj Shqipërisë, nëse nuk i hap rrugë në këtë çështje”, thekson në analizën e saj e përditshmja austriake, “Der Standard”. Sipas kësaj gazete, Greqia do të bllokojë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Gazeta austriake shkruan ndër të tjera, se në lojë janë shumë gjëra, duke qenë se bëhet fjalë për rezerva të mëdha nafte. Për këtë arsye, sipas saj, tashmë Shqipëria nuk duhet të shqetësohet më për marrëdhëniet me Serbinë, por për marrëdhëniet me Greqinë. Pakënaqësia e palës greke, sipas “Der Standard”, nuk është vetëm për kërkimet e naftës në detin Jon, por edhe për zgjedhjen e Shpëtim Idrizit si nënkryetar i Kuvendit. Por sipas “Der Standard”, ky nuk është konflikti i vetëm mes dy vendeve. Një tjetër ngërç janë edhe varrezat greke në Jug të Shqipërisë. “Një marrëveshje për këto varreza nuk është zbatuar nga Shqipëria. Formalisht, Greqia dhe Shqipëria janë ende në luftë, e cila është bazuar në një ligj grek në vitin 1940, i cili kurrë nuk është anuluar”, thekson gazeta. Artikulli është shkruar nga Adelheid Wölflaus, i cili ka ndjekur nga afër dhe zhvillimin e Forumit Ekonomik të Vjenës, që u mbajt për disa ditë në Tiranë, ku morën pjesë gjashtë kryeministrat e Ballkanit Perëndimor.
Ish-zv.ministri

Nafta, Bello: Greqia ka hyrë në zonën tonë

Ish-zëvendësministri i Industrisë dhe Energjetikës, Pajtim Bello, deklaron se nuk ka asnjë dyshim se Greqia po tenton të bëjë kërkime për shfrytëzim të naftës në detin shqiptar. Duke krahasuar dy hartat e shpallura për kërkimet në naftë, si nga Greqia dhe Shqipëria, në Jonin I dhe Jonin V, Bello shprehet qartësisht se duket që po kërkohet në ujërat territoriale shqiptare. “Me këtë hartë që shoh ata janë te blloku Joni V. Pra ata kanë hyrë në zonën tonë. Sa kanë hyrë, këtë duhet ta bëjnë ekspertët e të dyja palëve, të marrin hartat dhe të kërkojnë që çdo gjë të jetë sipas asaj që na takon”, shprehet Bello. Ai sqaron se Shqipëria ka tentuar kërkime në këtë zonë në vitin 1985 dhe asokohe nuk pati një reagim nga pala helene. Reagimi erdhi në vitin 2009, kur kjo zonë u konsiderua si strategjike. Kërkimet në Jonin V, Bello i lidh me “çështje interesash strategjike. Është nafta, mbetet në perspektivë kalimi i një gazsjellësi, pra nëse duan të konkurrojnë TAP, është gazsjellësi që vjen nga Greqia, Turqia, që futet ose nga Italia ose nga krahu ynë”.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button