Sjellja e tifozëve, gjobë e rëndë nga UEFA për kuqezinjtë

TEMAT KRYESORE

  • Një sërë ngjarjes gjatë dhe pas ndeshjes me Armeninë. Banderolat në stadium anti-Platini, por edhe flamujt turq sjellin dhuratën nga Zvicra

Olsi Avdiaj


Gjoba ishte e paralajmëruar që pas ndeshjes së 29 marsit. Incidentet në ndeshjen Shqipëri-Armeni, nuk kanë kaluar pa u dënuar nga shtëpia më e madhe e futbollit evropian, UEFA. Kështu, për shkak të disa problemeve në sfidën që u zhvillua në Elbasan, UEFA e ka dënuar Federatën e Futbollit të Shqipërisë me 50 mijë euro gjobë. “Komisioni i Disiplinës së UEFA-s ka gjobitur Federatën Shqiptare të Futbollit me një shifër prej 50 mijë eurosh për ndeshjen Shqipëri–Armeni, e luajtur më datë 29 mars 2015 në stadiumin” Elbasan Arena”.


Gjobë kjo e cila vjen pas parullave racistë të tifozëve tanë si dhe hedhjes së flakadanëve në fushë. FSHF pas kësaj gjobe i kërkon sa më shumë mirëkuptim të gjithë tifozëve dhe dashamirësve të futbollit shqiptar të pranishëm dhe jo vetëm në stadiume që të sensibilizohen dhe të mos kryejnë në të ardhmen të tilla akte të cilat e dëmtojnë rëndë imazhin e futbollit dhe financat tona. Këto shuma të mëdha gjobash mund t’i shfrytëzojmë shume mirë në infrastrukturën sportive, zhvillimin e futbollit dhe në rritjen e cilësisë sportive. FSHF kërkon më shumë përgjegjësi, vetëpërmbajtje dhe më shumë dashamirësi për të ndihmuar ekipin tonë kombëtar për një përfaqësim sa më dinjitoz”, thuhej në deklaratën e FSHF-së.


Faktikisht kjo është një gjëbë e rëndë për FSHF-në, por e paralajmëruar në një farë mënyre. Që pas ndeshjes me Armeninë u fol se Federata Shqiptare e Futbollit mund të merrte gjobë nga UEFA, për shkeljet që u vërejtën në stadiumin “Elbasan Arena” gjatë ndeshjes Shqipëri-Armeni, e luajtur më 29 mars. Përpos hyrjes në fushë të disa tifozëve, delegati i UEFA-s ka vënë re edhe disa probleme të tjera. Burime pranë stadiumit të Elbasanit bëjnë me dije se, futbollistët e të dy ekipeve mendohet janë larë me ujë të ftohtë pas ndeshjes, një shkelje për të cilën Shqipëria ishte dënuar me rreth 15 mijë franga zvicerane pas takimit me Danimarkën po në “Elbasan Arena”.


Delegati i UEFA-s ka fotografuar edhe banderolën e madhe të tifozëve dhe flamujt turq. Në pistë ku nuk lejohet askush, kanë qëndruar një pjesë e mirë e stafit të FSHF-së, gjë që nuk lejohet. Valët e internetit kanë qenë një tjetër problem. Në fund ankesa tjetër e UEFA-s, ka qenë mosfunksionimi i “zonës mix”. Intervistat e lojtarëve në ndeshjen me Armeninë u zhvilluan në rrugë. Pak a shumë këto ishin gjithë shkeljet e konstatuara nga UEFA në ndeshjen me Armeninë.


Deri diku ky vendim ishte i pritshëm, por nëse u referohesh ngjarjeve që ndodhën në stadiumin e Beogradit kuptohet qartë se qëndrimi i komisioneve Juridike të UEFA-s është me dy standarde. Zyrtarët e UEFA-s nuk e patën të vështirë për të dalluar sjelljet raciste të tifozëve kuqezi me Armeninë, ndërsa në ndeshjen Serbi-Shqipëri, thirrjet “Vritini shqiptarët”, nuk u kuptuan nga UEFA, madje as atëherë kur ato i provuan me zë e figurë në komisionin e Apelit nga pala shqiptare.


FSHF pas kësaj gjobe u kërkon sa më shumë mirëkuptim të gjithë tifozëve dhe dashamirësve te futbollit shqiptar të pranishëm, ose jo, në stadiume.


100 mijë euro u ndëshkua më 24 tetor 2014 Shqipëria me gjobë veç humbjes në tavolinë të ndeshjes me Serbinë. Duke vlerësuar edhe shpenzimet për gjyqet në UEFA, FSHF-ja duket se ka shpenzuar jo pak para për problemet disiplinore.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button