Samiti i Tiranës, “fuçi” stabiliteti për Ballkanin

TEMAT KRYESORE

  • Bashkëbisedim miqësor, batuta dhe unifikim përballë Bashkimit Evropian, kjo ishte fryma e takimit të djeshëm të kryeministrave të 6 vendeve të rajonit

Suela Topi 


Një mirëseardhje miqësore në dyert e Pallatit të Kongreseve nga kryeministri Edi Rama, por edhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati dhe ai i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ishte nisja e Forumit Ekonomik të mbajtur dje në kryeqytetin shqiptar. Por kjo frymë nuk mbeti me kaq, krerët e 6 vendeve të rajonit u përshëndetën miqësisht edhe me njëri-tjetrin, pavarësisht gjithë tensioneve që janë krijuar kohët e fundit mes disa prej këtyre vendeve.


Madje mes kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, krejt ndryshe nga sa kishin paralajmëruar mediat serbe, pati përshëndetje e shtrëngim duarsh. Ishte kreu i qeverisë serbe, i cili pasi mori përshëndetjen me kokë nga homologu i tij i Kosovës, u zgjat për t’i dhënë atij dorën. Më herët Mustafa, ndër të parët e mbërritur në hollin e Pallatit të Kongreseve, ku u mbajt Forumi Ekonomik i Vjenës, u takua dhe bisedoi edhe me homologun e Maqedonisë, Nikola Gruevski. Dëshira për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin u përcoll më tej në fjalën e secilit prej krerëve të shteteve të rajonit, ku nuk munguan as batutat e kryeministrit serb Vuçiç dhe kryeministrit të Bosnjë-Hercegovinës, Denis Zvizdiç apo dhe “thumbat” e kreut të qeverisë maqedonase, Nikola Gruevski.


Fryma miqësore 


Ndërsa të ftuarit e tjerë kishin zënë vendet, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ai i Kosovës, Isa Mustafa, kryeministri i Bosnjë Hercegovinës, Denis Zvivdiç, kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, ai i Malit të Zi, Milo Dukanoviç dhe kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski shkëmbyen përshëndetje me njëritjetrin, para se të zinin vend në panelin e parë të Forumit Ekonomik të Vjenës. Por kjo frymë miqësore nuk mbeti në nivelin e kortezisë të rastit, ndërsa kryeministri serb Vuçiç u zgjat për t’i dhënë dorën homologut të tij nga Kosova, Isa Mustafa.


Ky takim u mirëprit dhe nga të pranishmit e ndërsa media shpejtoi të fotografonte këto momente që kryeministri Rama i ka cilësuar dhe si “Foto të ditës”, pas postimit të saj në rrjetin social “Facebook”. Në një prononcim për median, referuar shtrëngimit të dorës, Mustafa tha se tashmë marrëdhënia mes tyre është normalizuar dhe se e rëndësishme është që të ulen në bisedime për të zgjidhur çështje që i ndajnë. Në Forumin Ekonomik të Vjenës nuk munguan as batutat, këtë herë nga kryeministri Vuçiç, i cili kur mori fjalën, menjëherë pas kryeministrit Rama, i kujtoi atij se tejkaloi kohën e parashikuar. “E dija që Edi do të tejkalonte kohën, e bën gjithmonë”, tha Vuçiç dhe menjëherë pasi mbaroi fjalën theksoi se, nuk e tejkaloi kohën e parashikuar.


“Besoj se nuk fola shumë, 8 minuta kam folur”, tha ai, ndërsa drejtuesi i panelit, Joshka Fisher, shikoi orën si për ta vërtetuar këtë. Por kjo kohë e pashfrytëzuar nga kreu i qeverisë serbe u përdor nga homologu i tij i Bosnjë- Hercegovinës. “Duke shfrytëzuar marrëdhëniet e mira të Bosnjë-Hercegovinës me Serbinë mund të përdor disa nga ato minuta që nuk përdori Vuçiç”, deklaroi me humor kryeministri Denis Zvizdiç. E ndërkohë që kreu i qeverisë maqedonase, Nikola Gruevski ka kritikuar indirekt kryeministrin Edi Rama, edhe pse nuk përmendi emra, ndërsa tha se, “bashkëpunimi rajonal mbledh të gjithë udhëheqësit dhe ata duhet të jenë të përgjegjshëm për deklaratat që japin. Mesazhet e dhëna në mënyrë negative do të krijojnë ndjesi të këqija tek njerëzit”. Ndërsa kryeministri Edi Rama nuk harroi t’i kujtonte Evropës se, rajoni po lufton lodhjen nga durimi.


“Do të doja sërish të theksoja se jemi këtu, së bashku, jo sepse ne jemi engjëj, ndërsa paraardhësit tanë apo paraardhësit e paraardhësve tanë kanë qenë djaj, por për shkak të faktit se të gjithë njerëzit në rajon lidhen nga një ëndërr e përbashkët, që është Evropa, dhe një perspektivë të përbashkët që është Evropa. Duam që Evropa ta kuptojë se në qoftë se brenda Bashkimit Evropian ka një lodhje nga zgjerimi, që duhet përballuar, këtu në Evropën Juglindore na duhet të përballojmë rrezikun e një lodhjeje nga durimi. Le të mos ta lëmë lodhjen nga durimi të kthehet në armikun e përbashkët të ëndrrës sonë të përbashkët, që duket më e afërt sot dhe që na ka sjellë të gjithëve këtu, së bashku”, deklaroi ai.


Gruevski: Integrimi evropian është faktor bashkimi 


“Në vendin tonë, i cili është multietnik, integrimi evropian dhe euroatlantik është më rëndësi, pasi është faktor bashkimi. Ndaj Maqedonia është e fokusuar në reformat në të gjitha fushat”. Kjo është deklarata e bërë dje nga kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, ndërsa mori fjalën gjatë punimeve të Forumit Ekonomik të Vjenës. Kreu i qeverisë maqedonase është ndalur edhe tek raportet me Greqinë, duke u shprehur se është me rëndësi zgjidhja e çështjeve të mbetura hapur, e kryesisht çështja e emrit, në mënyrë që të ecet përpara me proceset integruese.


Gruevski ndërkaq i kërkoi BE-së një angazhim më të madh në rajon. “BE mund të përqendrohej më shumë në të ardhmen për të zgjidhur problemet që ne kemi me fqinjin tonë ligjor, pasi shtyrja e zgjidhjes nuk është serioze, pasi krijon problematika të tjera, krijon pasiguri. Është një dëm për ne dhe rajonin. Prandaj Bashkimi Evropian duhet të ndihmojë në zgjidhjen e pengesës”, tha ai, ndërsa theksoi fort nevojën për fqinjësi të mirë.


Rama: Ta bëjmë Evropën të na shohë si një rajon të vetëm 


Kryeministri Edi Rama, duke folur dje në Forumin Ekonomik të Vjenës, të zhvilluar në Tiranë ftoi të gjithë vendet e rajonin për të bashkëpunuar në mënyrë që Evropa ta shohë rajonin si një të tërë. “Synimi ynë i përbashkët, synimi i të gjitha vendeve të pranishme këtu, është që të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian. Besoj fort që kjo do të jetë mirë për Shqipërinë, për rajonin, për të tërë Evropën dhe po ashtu, edhe për botën. Jemi të gjithë të vetëdijshëm që nuk është një rrugë e lehtë, por në fakt, sfida që na pret është që t’i përdorim në mënyrë të mençur sfidat që shtrihen përpara nesh. Edhe procesi që përfshin ndërmarrjen e hapave të nevojshme për anëtarësimin në BE, besoj se është i mirë për ne”, tha ai.


Rama shtoi se Konferenca e Berlinit vuri në lëvizje një proces që synon të gjenerojë përfitime konkrete e të prekshme për qytetarët tanë, gjatë procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe procesit të bashkimit rajonal dhe Samiti i 27 gushtit në Vjenë është një mundësi për të përkufizuar së bashku ato përfitime konkrete. “Ka ardhur tashmë koha që të kemi një angazhim të qartë nga Komisioni Europian, për të ndihmuar në zhvillimin e Ballkanit, si një rajon i përbashkët si kurrë më parë. Për shumë vjet na është kërkuar që të sfidojmë vetveten e të shohim njëritjetrin në një qasje krejt të re, me sy të tjerë. Tashmë është koha që Evropa të sfidojë veten e të na shohë ne me të tjerë sy”, deklaroi ai.


Vuçiç-BE-së: Jemi të tejngopur me seminare, na duhen para 


Kreu i qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka theksuar nevojën që vendet e rajonit të konkretizojnë bashkëpunimin e tyre me projekte konkrete, për të cilat mund të kërkojnë mbështetjen e Bashkimit Evropian. Në këtë pikë madje ai është treguar shumë i drejtpërdrejtë, ndërsa i ka bërë apel BE-së për mbështetje financiare.


“Do të shkojmë në Vjenë për dy muaj dhe shpresoj se do të kemi diçka për t’i treguar kancelares gjermane dhe qytetarëve tanë. T’u tregojmë që po, kemi hartuar disa projekte të përbashkëta që janë në proces e që kanë të bëjnë me rrugët, hekurudha, ndërkohë që të gjithë e dimë që i kemi përcaktuar projektet e rëndësishme, kemi rënë dakord në Bruksel. Ajo që dua të them është që përshpejtimi i integrimit në BE është me rëndësi, pasi rajoni është ende i brishtë e një sërë problemesh ekonomike e politike na vijnë pas, nuk jemi të verbër përballë tyre. Për ta thënë thjeshtë, na duhen para për projektet tona, jemi të tejngopur me seminare, na duhen para për rrugë e hekurudha”, tha Vuçiç, duke shtuar se nëse BE-ja nuk e bën dot këtë duhet ta thotë. “Njerëzit tanë duan rezultate konkrete. Mund të mos jetësojmë gjithçka por të jetësojmë dicka, qoftë edhe me forcat tona”, tha ai.


Mustafa: Mosmarrëveshjet t’i kthejmë në ura zhvillimi 


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi dje në Forumin Ekonomik të Vjenës se vendi ti tij është i gatshëm për bashkëpunim me çdo fqinj, si edhe të zgjidhë çështjet e hapura që ka me vendet në rajon përmes dialogut. Mustafa vlerësoi se Kosova ka nevojë më shumë se asnjë vend tjetër në rajon për mbështetje dhe bashkëpunim me vendet fqinje, për shkak të tranzicionit të vonuar. Ai tha se Kosova është e gatshme të marrë pjesë në projektet e përbashkëta infrastrukturore, si edhe të japë kontributin e saj në proceset integruese. “Jemi në fazën që mosmarrëveshjet t’i shndërrojmë në ura të zhvillimit të përbashkët dhe synimet tona t’i bëjmë realitet, që të gjendemi sa më shpejt në familjen evropiane. Ky është synimi i Kosovës dhe e kemi shprehur këtë në të gjitha takimet me fqinjët”, tha Mustafa. Ai theksoi dialogun e nisur me Serbinë. “Ne po përpiqemi të mbyllim përmes dialogut çështjet e hapura me Serbinë dhe vendet e tjera. Gjithashtu jemi të hapur ndaj investitorëve në fusha të ndryshme të ekonomisë. Kosova është e gatshme që brenda këtij viti të lidhet me Serbinë dhe Maqedoninë përmes dy autostradave, në mënyrë që të ulet vëllimi i kostove të këmbimeve tregtare”, deklaroi Mustafa.


Mustafa, takim me Gruevskin 


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Maqedonisë, Nikola Gruevski, kanë zhvilluar një takim kokë më kokë, pas fjalës së mbajtur në Forumin Ekonomik të Vjenës. Fokus i bisedës mes dy kryeministrave ishin ngjarjet në Kumanovë. “Na ka tronditur ngjarja që ka ndodhur në Kumanovë, në radhë të parë për pasojat në njerëz dhe vetë ngjarja, sepse ne jemi shumë të interesuar të mbajmë stabilitetin në Maqedoni dhe në rajon dhe nuk ka asnjë arsye që në periudhën e tanishme të kemi ngjarje të tilla, të cilat përfundojnë me viktima në njerëz në territoret e vendeve fqinje”, deklaroi Mustafa.


Ai shtoi se, është kërkuar që të bëhet një hetim ndërkombëtar për të gjithë ngjarjen që ka ndodhur në Maqedoni. “Ne mendojmë se do të jetë më e drejtë që të nxjerrim informacione dhe të dhëna që do të na shërbejnë më tutje, edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni, në mënyrë që të menaxhohen dhe kontrollohen situata të caktuara në mënyrë që individë të caktuar të mos shkaktojnë viktima dhe rezultate të tilla”, tha ai.


D’Alema: Ndiqni shembullin e Kroacisë për turizmin 


Ballkani duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, edhe pse tani nuk është momenti për një zgjerim të mëtejshëm. Pohimi është bërë dje nga Masimo D’Alema, i cili ishte pjesë e panelit të dytë në Forumin Ekonomik të Vjenës të zhvilluar në Tiranë. “Nuk është koha e duhur për një zgjerim të mëtejshëm. Por Ballkani duhet të jetë i përfshirë në BE, si një pjesë e rëndësishme e Evropës. Duhet të rigjallërohet kontinenti, dhe për këtë Bashkimit Evropian i duhen energji të reja”, tha ish-kryeministri italian. D’Alema shtoi se deri tani Shqipëria është konsideruar si një problem, ndërsa ajo përbën një mundësi për të gjithë Evropën.


“Sot kemi nevojë për udhëheqës vizionarë. Ne mund të japim shtysë, të promovojmë lidhjet mes bizneseve njerëzore e shoqërisë civile. Është koha për të nxitur Evropën për rëndësinë e Ballkanit”, deklaroi D’Alema. Ai theksoi më tej se Shqipëria, por edhe vendet e tjera duhet të ndjekin shembullin e Kroacisë dhe të zhvillojnë turizmin. Pikërisht prej turizmit, Kroacia u bë e njohur, tha ai më tej.


“Duhet të punoni së bashku me Kroacinë, t’i ofrojmë më shumë mundësi turizmit evropian. Turizmi për shumë evropianë ka qenë çelësi për të kuptuar dhe besuar. Një ndër arsyet pse u integrua Kroacia ishte se për shumë gjermanë dhe italianë, Kroacia ishte një vend që e njihnin falë turizmit. Ndiqni shembullin e saj”, pohoi ai, ndërsa shtoi se sfidë për rajonin, por edhe për Europën mbetet sot bashkëjetesa mes popujve me besime të ndryshme fetare. “Problemi i rajonit është që katolikë e myslimanë të jetojnë së bashku nën besime të ndryshme fetare, njerëz të ndryshëm, kultura të ndryshme. Është sfida e madhe për Evropën, për BE gjithashtu. Përvoja e rajonit mund të ofrojë një model sepse të jetosh, të bashkëjetosh së bashku, nuk është problem ballkanik është çështje dhe sfidë evropiane”, deklaroi D’Alema.


Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, u ndal tek rëndësia e bashkëpunimit me vendet e rajonin për rritjen e investimeve dhe të projekteve infrastrukturore, në fokus të zhvillimit ekonomik. Ai shtroi idenë e një tregu të unifikuar rajonal dhe tha se, duhet të përdoren mekanizmat e duhur për të pasur rezultatet e dëshiruara. “Kemi nevojë për një treg të unifikuar rajonal dhe ne duam ta bëjmë rajonin një treg të tillë. Me rëndësi është që të përdoren mekanizmat dhe instrumentet e duhura”, tha ministri Ahmetaj. Forumi Ekonomik zhvillohet në kuadër të përmbylljes së kryesimit nga Shqipëria të presidencës së SEECP- së.


Gjukanoviç: Infrastruktura, prioritet i Ballkanit Perëndimor


Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, theksoi në Forumin Ekonomik të Vjenës, nevojën për të përdorur potencialet e vendeve të rajonit, si një mundësi për stabilitet të plotë të Evropës. “Nuk mund të ketë stabilitet të plotë të Evropës, pa përdorim të plotë të potencialeve që kanë vendet tona. Për ne, ekonomia globale do të thotë një tokë që na rrëshqet nën këmbë. Ne duhet të përqendrohemi në zhvillimin e infrastrukturës.


Ky duhet të jetë prioriteti për Ballkanin Perëndimor. Asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk mund ta zgjidhë këtë në vetvete, duke përfshirë këtu edhe vendin më të zhvilluar që është Kroacia, e cila ka ngecur në ndërtimin e korridorit Adriatiko-Jonian. Duhet të përcaktojmë hapa shumë konkret për një integrim më të mirë të Ballkanit Perëndimor. Duhet të kemi strategji gjithëpërfshirëse”, tha Gjukanoviç. Ndërkohë, kryeministri boshnjak, Denis Zvizdiç, vlerësoi takimin e djeshëm si një shembull për thyrjen e steriotipeve. “Këto takime po kalojnë ato stereotipe që kemi prodhuar prej vitesh, që tregonin se nuk ishim as në gjendje apo të gatshëm në këtë rajon për të bashkëpunuar. Këto takime dëshmojnë krejt të kundërtën”, tha ai.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button