Votat e publikut : Pa jurinë, Elhaida Dani renditej e teta

Si ndikuan votat e publikut dhe të jurisë në Shqipëri dhe për Shqipërinë
Nëse performanca e Elhaida Danit në Eurovision do të ishte vlerësuar vetëm nga votat e publikut, atëherë Shqipëria do të kishte arritur në vendin e tetë dhe jo në vendin e 17, që u ndikua nga vota e jurive respektive dhe ky festival do të ishte fituar nga Italia. Megjithatë, Shqipëria mori një surprizë të pakëndshme në Eurosong, ku vende fqinje dhe shtete ku jetojnë një pjesë e konsiderueshme emigrantësh shqiptarë nuk i dhanë asnjë pikë këngës “I’m Alive” të Elhaida Danit që përfaqësoi vendin tonë në finalen e edicionit të 60-të të kompeticionit më të madh europian të këngës.
Televotuesit
Nga një vëzhgim i kryer në tabelat e plota të votimit të secilit prej shteteve pjesëmarrëse rezulton se votimi popullor ka qenë tejet i ndryshëm nga ai i jurive të secilit vend pjesëmarrës në Eurovision. Nëse vlerësimi do të ishte kryer vetëm nga televotimi, atëherë ky kompeticion do të fitohej nga Italia, e cila ndiqet nga Rusia dhe në vend të tretë, Suedia. Ndërsa Shqipëria nuk do të renditej më lart se në vendin e tetë, me 93 pikë, pavarësisht pretendimeve të ndryshme. Megjithatë, ka qenë pikërisht vlerësimi i anëtarëve të jurive përkatëse që ka penalizuar Shqipërinë, duke e renditur në vendin e 17, të cilin edhe mund ta humbasë për shkak se votimi i Malit të Zi dhe Maqedonisë është vlerësuar nul, pasi nuk është marrë parasysh votimi i jurisë, por vetëm ai i publikut.

Publiku dhe juria

Nga ana tjetër, vihet re se në disa raste ka pasur një disnivel të frikshëm mes votave të publikut dhe jurive, të cilat duket se janë kushtëzuar edhe nga kushte gjeopolitike. Emigrantët shqiptarë në Itali, por edhe mbështetës të Elhaida Danit në vendin fqinj, të cilët e zgjodhën fituese shqiptaren në edicionin e shkuar të “The Voice Of Italy”, kanë votuar në masë për këngën “I’m Alive”, duke e renditur Shqipërinë në vend të parë. Por ndëshkimi ka ardhur nga juria që e ka vlerësuar vendin tonë të 25-tin. Sipas formulës së pikëve të këtij eventi muzikor, (50% juria dhe 50% televotuesit) Italia e vendosi Shqipërinë në vendin e 12 që përkthehet në 0 pikë. Njëjtë, edhe televotuesit në vendin tonë e radhitën të parën performancën e grupit “Il Volo”, ashtu sikundër edhe juria. E njëjta situatë është përsëritur edhe në Zvicër, shtet ku emigrantët shqiptarë janë të shumtë. Teleshikuesit e këtij vendi e kanë nxjerrë Elhaidën të parën me vota, por juria e Zvicrës i ka dhënë asaj vendin e 26-të, duke bërë që në përfundim Shqipëria të mos marrë asnjë pikë nga 12 të mundshme.
Edhe shqiptarët që jetojnë në Gjermani kanë votuar për “I’m Alive” duke e radhitur Elhaida Danin në vend të gjashtë, por juria ka qenë e mendimit se performanca e shqiptares meriton vendin e fundit, duke mos i dhënë asnjë pikë. Në Greqi, televotuesit e nxorën shkodranen Dani në vend të dytë, por vlerësimi i jurisë për të qenë e nënta bëri që pikët totale për vendin tonë të përkthehen vetëm në gjashtë të tilla.
Surprizë ishte edhe Austria, ku në sajë të votave, Shqipëria rezulton në vendin e pestë, ndërsa sipas jurisë në të fundit. Shqipëria është vlerësuar pozitivisht edhe nga votuesit në Serbi, të cilët e kanë renditur Elhaidën në vendin e gjashtë, por ndryshe ka vendosur juria e shtetit fqinj që e ka radhitur në vendin e parafundit. Nga ana tjetër, televotuesit në Shqipëri e vunë në vendin e 14 Serbinë, ndërsa juria në të gjashtin, duke u përkthyer në dy pikë.

Votat shqiptare

Surpriza ka pasur edhe votimi shqiptar për vendet pjesëmarrëse. Fillimisht, kur Shqipëria dha votat e saj, akuzat ranë mbi jurinë. Megjithatë, vihet re se juria ka pasur pothuajse të njëjtin perceptim me publikun shqiptar, duke sjellë një rezultat surprizë. Publiku brenda Shqipërisë, pa votat e jurisë ka renditur në vend të parë Italinë dhe në vend të dytë Greqinë, e cila ndiqet nga Rusia. Në vend të katërt është renditur Gjeorgjia, ndërkohë për këngën fituese, Suedinë, publiku shqiptar ka dhënë vendin e pestë. Pothuajse të njëjtin vlerësim ka pasur edhe juria, veç rastit të Serbisë, ku publiku e ka lënë pa pikë, ndërsa juria e ka çuar në vendin e gjashtë.
Penalizimi

Shqipërisë i hiqen pikët e Maqedonisë e Malit të Zi

Pas shfaqjes live mbrëmjen e së shtunës, organizatorët e  Eurovision-it të mbajtur në Vjenë kanë zbuluar se ka pasur parregullsi me votat nga juritë në Maqedoni dhe Mal të Z, dy nga katër vendet e vetme që i dhanë pikës përfaqësueses së Shqipërisë Elhaida Dani. Pikat e dhëna nga çdo vend përcaktohen zakonisht nga një kombinim i jurisë dhe votimit publik 50 me 50, por sipas vëzhguesve, të dyja vendet i dhanë pikët për Shqipërinë, duke iu referuar 100% televotimit.
“Rezultatet e jurisë së ish-republikës jugosllave të Maqedonisë dhe Malit të Zi gjatë mbrëmjes së finales së madhe të eventit janë skualifikuar, pas konsultimeve me vëzhguesin e pavarur të votave të këtij festivali, si dhe pas vendimit të parë nga supervizori ekzekutiv dhe udhëheqësi i grupit të referencave. Në të dy vendet, televotimet janë aplikuar në 100% të rezultateve. Përjashtimi i dy jurive do të diskutohet më tej në takimin e ardhshëm të grupit të referimit, në qershor”, -thuhet në deklaratën e Zyrës së shtypit të Eurovision.
Maqedonia ishte shteti i vetëm që i dha  vlerësimin maksimal Danit me këngën “I’m Alive”, 12 pikë, ndërsa Mali i Zi, 10 pikë. Kjo do të thotë se Shqipëria rrezikon të zbresë akoma në renditje, nga vendi i 17 që doli mes 27 shteteve që prekën finalen e madhe të edicionit të 60 të kompeticionit më të madh europian të këngës. Nëse deri në vendimin përfundimtar në qershor votimi nga dy shtetet tona fqinje do të dalë i pavlefshëm, Shqipërisë do t’i hiqen 22 pikë (12 të Maqedonisë dhe 10 të Malit të Zi) duke bërë që vendi ynë të ngelë vetëm me 12 pikë të marra, 6 nga Greqia dhe 6 nga Belgjika.
Ndërkohë votat e teleshikuesve shqiptarë dhe të jurisë u përkthyen në 10 pikë për Greqinë dhe 12 pikë për Italinë, edhe pse kjo e fundit nuk rezervoi asnjë pikë për performancën e shkodranes Elhaida Dani. Eurovision u pa nga rreth 200 milionë shikues kinezë, i cili për herë të parë u transmetua drejtpërdrejt në Kinë.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button