Idiotët e dobishëm të Greqisë në Tiranë

NGA: PETRIT HALITI*
Një zhvendosje tragjike duhet të ketë ndodhur në pllakat tektonike të bazamentit të identitetit dhe të ndërgjegjes sonë kombëtare, shtetërore dhe njerëzore, përderisa në skenë është shtuar lukunia e idiotëve të dobishëm, që kanë kënaqësinë instiktive t’i sulen interesit kombëtar dhe shtetëror shqiptar me shpata të huaja. Është tepër e lehtë t’i dallosh idiotët e dobishëm në mediat dhe në ekranet me bexhët identifikues të Parlamentit, të politikës, të mediave dhe të shoqatave fitimprurëse të shoqërisë civile. Lakmusi për t’i dalluar ata është i thjeshtë: Heshtin kur preken interesat kombëtare dhe shtetërore të Shqipërisë, dhe po ulërasin me partiturë helene, kur Athina mendon se po preken interesat kombëtare të Greqisë. Idiotët e dobishëm nuk thanë gjysmë fjale kur Greqia prej muajsh programon shkeljen e integritetit territorial dhe të sovranitetit shtetëror të Shqipërisë, duke shpallur si të drejtë të saj eksplorimin e burimeve të hidrokarbureve në territorin detar shqiptar në detin Jon.

Greqia ka shpallur edhe një tender ndërkombëtar të botuar në gazetën zyrtare të Bashkimit Europian, në 13 nëntor të vitit 2014, ku koordinatat e zonave të projektuara të kërkimeve greke dhunojnë hapur integritetin territorial dhe ujërat territoriale detare shqiptare. Por idiotët e dobishëm në Tiranë u ngritën si me sustë në këmbë, sapo mediat qeveritare e joqeveritare, të majta e të djathta në Athinë, nisën fushatën e sulmeve kundër Shqipërisë, pas notës së MPJ të Shqipërisë dorëzuar në 7 maj ambasadorit grek në Tiranë, për të protestuar për shkeljen e kufijve dhe të ujërave territoriale shqiptare. Në vend që të kritikohej Greqia që po dhunonte kufijtë dhe ujërat territoriale shqiptare, në vend që të bashkoheshin me protestën e ligjshme të Ministrisë së Jashtme të shtetit të tyre, idiotët e dobishëm shqiptarë organizuan jehonën e shtrembërimeve të situatës, që bënë mediat greke, duke shkuar deri në atë pikë sa të shkruhej se Shqipëria po i kërkon Greqisë ndryshimin e kufijve. (E mjera Shqipëri, e cila mund të akuzohet për njëmijë e një gjëra, por që kurrë nuk ka kërkuar rikthimin e territoreve të saj historike).

Loading...

Këto ditë nuk ngeli gazetë greke që sulmonte protestën e drejtë të Shqipërisë pa u ribotuar e përkthyer që të nesërmen nëpër gazetat dhe ekranet e idiotëve të dobishëm shqiptarë. Dhe asnjë prej tyre nuk iu bashkua alarmit të dhunimit të sovranitetit dhe të integritetit të Shqipërisë nga Greqia. Mbrojtja e kufijve dhe e integritetit territorial të Shqipërisë, që është detyra dhe mandati primar dhe prioritar i çdo qeverie shqiptare, lexohej në disa media dhe ekrane shqiptare në variantin grek se “Shqipëria po kërkon ndryshimin e kufijve”. Është një shkallë degradimi personaliteti, profesional dhe kombëtar, që nuk ndodh në asnjë shtet ballkanik, pa le më europian. Gatishmëria, që konstatohet në Tiranë, për të riprodhuar brenda ditës gjithë vërshimet antishqiptare të propagandës nacionaliste greke, është e pashoqe. Nuk ka ndodhur kurrë që në Greqi të ribotohen artikuj të personaliteteve të shquara shqiptare të penës si Kristo Frashëri, Pëllumb Xhufi, Agim Shehu, Dritan Hila, etj, që analizojnë marrëdhëniet shqiptaro-greke. Idiotët e dobishëm shqiptarë nuk thanë gjysmë fjale për ndërhyrjen skandaloze në punët e brendshme të Shqipërisë, siç ishte deklarata e zëdhënësit të MPJ të Greqisë, Kostandinos Kutras, në 22 maj, i cili protestoi në emër të qeverisë greke për zgjedhjen e kryetarit të PDIU, Shpëtim Idrizi, në postin e nënkryetarit të Parlamentit të Shqipërisë. Nuk gjen rast, jo më në Europë, por as në Afrikë, që një qeveri e një shteti fqinj të protestojë përse shteti fqinj zgjedh nënkryetar parlamenti një shtetas të vetin dhe një politikan të vetin.

E bëri në 22 maj qeveria e kryeministrit Aleksis Cipras, sepse ajo mesa duket mendon se duke nxitur tensionet nacionaliste në Ballkan, do të frikësojë Bashkimin Europian dhe do ta detyrojë që t’i falë borxhet stratosferike, që Greqia i ka Bankës Qendrore Europiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. E bëri këtë ndërhyrje skandaloze në punët e brendshme të Shqipërisë qeveria e re e kryeministrit grek të ekstremit të majtë, sepse ajo po vazhdon mentalitetin e vjetër të qeverive të mëparshme greke, të djathta dhe të majta, që me Shqipërinë, pavarësisht se është anëtare e NATO-s, duhet sjellë si padroni me shërbyesin. Jo vetëm nuk u ndjenë dhe nuk u bëri përshtypje idiotëve të dobishëm të Greqisë në Tiranë, por menjëherë përqafuan pozicionet qeveritare greke. Nëpër mediat dhe ekranet e ndryshme shqiptare ata nisën fushatën e turpshme t’i bënin jehonë zëdhënësit të MPJ të Greqisë. Ndiqni reagimet në mediat e Shqipërisë për zgjedhjen e nënkryetarit të ri të Parlamentit dhe do të ndjeni vërtet keqardhje për shkallën e ulët të mjerimit të idiotëve të dobishëm shqiptarë, që jo vetëm trumbetojnë tezat greke, por shprehen me një gjuhë raciste ndaj bashkëkombësve të tyre.

Gjuha e urrejtjes, me të cilin foli zëdhënësi i MPJ të Greqisë, i cili përsëriti pas 70 vjetësh akuzat e neveritshme me të cilat Athina zboi dhunshëm nga tokat dhe pronat e veta një popullsi të tërë si komuniteti çam për gjoja bashkëpunim me fashistët dhe nazistët, u amplifikua nga mendjet e sëmura të idiotëve të dobishëm, të cilët jo vetëm që e paraqitën komunitetin çam si diçka e huaj për bashkësinë kombëtare shqiptare, por edhe dhanë alarmin racist dhe sulmuan qeverinë pse kishte promovuar “një çam”. Është i njohur racizmi ndaj racave dhe kombeve të tjerë, por racizmin brenda racës dhe kombit tënd, racizmin e një krahine ndaj një tjetre, mund ta gjesh vetëm tek idiotët e dobishëm shqiptarë. Idiotët e dobishëm shqiptarë, të cilët me rastin e zgjedhjes së Shpëtim Idrizit nënkryetar Parlamenti të Shqipërisë krijuan stuhi greke në gotën shqiptare të komunikimit publik, nuk e ngritën zërin, kur Parlamenti i Greqisë zgjodhi për kryetar të grupit parlamentar të miqësisë Greqi-Shqipëri një rekordmen të antishqiptarizmit Vorio- Epirot si Pirro Dhima. Nuk u ndjenë as kur personalitetet më të larta greke, në mënyrë provokuese, e sillnin atë si anëtar të delegacioneve zyrtare greke, që vizitonin Tiranën. Filozofia e idiotëve të dobishëm të Greqisë në Tiranë është se Shqipëria nuk mund të jetojë pa Athinën. Në emër të këtij autosugjestioni sofistik të kësaj kategorie fjalamanësh, Shqipëria duhet të pyesë Athinën kë të emërojë në qeveri, kë të zgjedhë në Parlament, si të ndajë territorin e vet dhe si ta bëjë hartën e administratës lokale, me kë të bëjë aleanca shtetërore dhe kë të presë për vizita në Tiranë, etj, etj.

Madje për hir të miqësisë me Greqinë, Shqipëria duhet të çedojë territore dhe hapësira detare të reja, siç veproi qeveria e vitit 2009 me marrëveshjen e zezë dhe të anuluar e të pavlefshme të detit, të cilën Athina po tenton ta zbatojë forcërisht dhe njëanshmërisht. A ju duket rastësi që idiotët e dobishëm që po tregohen kaq zëmëdhenj sot, janë të njëjtët që nuk kanë thënë gjysmë fjale për marrëveshjen flagrante të shitjes së detit të vitit 2009, që nuk kanë thënë gjysmë fjale as për uzurpimin e Kishës Ortodokse Shqiptare nga Greqia, as për Himarën, as për Përmetin, as për Kosinën, as për Boboshticën, etj. Në 16 maj 2015 ndodhi një skandal kombëtar, i cili do të trondiste dhe do të ishte një bombë publike në çdo vend normal dhe sovran. Në Krania të Delvinës u zhvillua ceremoni publike nga organizatat “Vorio- Epirote”për të përkujtuar përvjetorin e të ashtuquajturit Protokoll të Korfuzit, që tentoi të legalizonte të ashtuquajturën autonomi të “Vorio-Epirit” në prag të Luftës së Parë Botërore. Manifestimi u bë pranë një përmendoreje të një prej andartëve grekë, që kanë masakruar shqiptarët në vitin e barbarisë greke 1914. Ishte një manifestim brutal, ku u shkul flamuri i Shqipërisë dhe ku u bë një sfidë publike ndaj integritetit territorial dhe kundër Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, shprehje e një rivendikimi arrogant territorial grek. E kemi të qartë se sa do ta lejonte dhe çfarë do të bënte qeveria greke në eventualitetin e një manifestimi të njëjtë nga shqiptarët në Prevezë për Çamërinë. Asnjë idiot i dobishëm nuk foli në Parlament, në media apo ekrane, se po qëllohej integriteti territorial i Shqipërisë, sepse ata nuk e konsiderojnë çështjen çame pjesë të çështjes së pazgjidhur shqiptare. Për idiotët e dobishëm, të paguarit e Greqisë mund të bëjnë çfarë të duan në tokat shqiptare, që i rivendikojnë akoma edhe pas 103 vjet pavarësi të Shqipërisë.
A janë idiotët e dobishëm të Greqisë në Tiranë kaq naivë sa nuk i kuptojnë fjalët dhe veprimet e tyre? Jo nuk janë. Ata nuk i ngjasin aspak idiotëve të dobishëm europianë të regjimit komunist të dikurshëm në Bashkimin Sovjetik në periudhën mes dy luftërave botërore. Sepse idiotët e dikurshëm europianë të dobishëm të Leninit dhe të Stalinit ishin më të ndershëm dhe kishin një farë idealizmi brenda tyre, që i pengonte të shihnin realitetin tragjik të shoqërisë komuniste sovjetike. Idiotët e dobishëm të Greqisë në Tiranë nuk kanë as molekulën më të vogël të idealizmit, përveç nëse cilësohet si e tillë shërbesa e përulur ndaj Greqisë.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button