"Shqipëri-Kosovë, të bashkuara në BE"

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti përuruan sot shtatoren e Ismail Qemalit në Prishtinë.

Në ceremoninë e vendosjes së shtatores së Ismail Qemalit, kreu i qeverisë shoqërohej nga deputeti i PS-së, Pandeli Majko, deputetja socialiste Arta Dade, si dhe personalitete të ndryshme nga fusha politike dhe kulturore e vendit.

Loading...

Kryetari i komunës së Prishtinës, Ahmeti, tha se “sot përfunduam kapitullin e parë të kësaj marrëveshje, ndërsa deri në fund të vitit do ta dërgojmë shtatoren e Hasan Prishtinës në Vlorë”.

Kryeministri Rama në fjalën e tij theksoi se ” nuk ka gjest më ceremonial dhe për hir të vërtetës edhe më mekanik për një kryeministër sesa përurimi i shtatoreve të historisë të atdheut amë në meidanet e qyteteve. Veçse miqtë e mi kur nga dheu skalitet një përmendore e Ismail Qemal Vlorës është flamuri shqiptar bajraku ynë i shekujve që përjetësohet përsëri. Sa herë që një shtatore e plakut të madh lartësohet para nesh është pavarësia e sovraniteti i shqiptarëve që shpallet e rishpallet, është streha e shqipeve që duke u kthyer në foletë e tyre siç e tha Papa Françesku në Tiranë dizenjojnë dhe përngjallin hirshëm rrugëtimin tonë të mundimshëm në drejtimin e duhur të mëvetësisë, por jo të mbylljes në vetvete, të vetëvendosjes, por jo të pamjaftueshmërisë te patriotizmit bujar e dritëplotë, por jo të nacionalizmit koprrac dhe qorr”.

“Shtatorja e Ismail Qemalit del për të mos lëvizur më mbi këtë shesh si guri i rëndë në vendin e vet, qysh prej 1912-s rrugëtimi i shëmbëlltyrës së bronztë apo të gurtë të kësaj figure të madhe të kombit me gjithë ndalesat në sheshe të ndryshme të qyteteve shqiptare, por edhe të qyteteve evropiane nuk do të ishte i përmbushur nëse nuk do të ishte ndalur edhe në Prishtinë në këtë vend të themelit të qytetërimit shqiptar në këto troje”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare Rama nënvizoi se “kur shqiptarët e Preshevës ngrenë zërin ata nuk kërkojnë asgjë më shumë sesa çfarë kanë serbët e veriut të Kosovës dhe as ne shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës s’kemi ndërmend të shkelim aspak fjalën e lidhur me Amerikën e Evropën për ta kryer bashkimin kombëtar si kulmim, përveç se si kulmim të bashkimit shpirtëror ekonomik dhe shoqëror me Bashkimin Evropian dhe kurrsesi jo si përçmim ndaj fqinjëve me të cilët duam po ashtu duam të bashkohemi nën çatinë e përbashkët të Evropës , në respekt të njëri tjetrit duke bërë për tjetrin atë që bëjmë për vete dhe duke i kërkuar tjetrit as më shumë e as më pak sesa atë që bëjmë për tjetrin”.

“Sot unë dhe Pandeli Majko si dy njerëz që kemi pasur fatin të bëjmë të njëjtën detyrë që i pari e bëri Ismail Qemali, në fakt nuk kemi sjellë as shtatoren, kjo shtatore është fryt i përpjekjes të një grupi qytetarësh nga Vlora e Prishtina të cilët e kanë sjellë këtu krejt natyrshëm duke bashkuar dëshirën, qëllimin, mundimin dhe respektin për ta”, tha Rama.

Në nëntor të vitit 2014, në një takim të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me delegacionin e intelektualeve nga qyteti i Vlorës, u përcaktuan hollësitë e idesë dhe projektit të vendosjes së shtatoreve të Ismail Qemalit në Prishtinë dhe atë të Hasan Prishtinës në Vlorë. Vendosja e shtatores simbolizon rolin e Ismail Qemalit në pavarësinë e shqiptarëve, si dhe në zhvillimin e kombit shqiptar. Shtatorja e Ismail Qemalit është vepër e skulptorit Luan Mulliqi.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button