Parma: Binjakëzimi i parë mes shkollave të shqipes në diasporë

Mbahet në Parma një takim shumë i rëndësishëm i shkëmbimit të eksperiencës, të programeve didaktive, por mbi të gjitha të ndërhyrjeve dhe lidhjeve midis shkollave të gjuhës amtare shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë. 
Ajo e mesit të prillit, është një ndër ato fundjava që çdonjëri nga ne mendon ta kalojë sa më mirë. Këtu radhitja e ideve është e ndryshme. Një shëtitje në bregdet, duke parë që koha është e bukur dhe pranvera ka shpërthyer me të gjithë forcën e saj në një sinfoni të mrekullueshme ngjyrash, apo në një vend turistik në mal ku ka shumë liqene në këto zona me parqe. Apo në kënde lojrash me femijët, kënaqësi ideale për kohën e lirë të tyren, një ditëlindje apo një ndeshje futbolli shoqërore… një pafundësi mund të themi.
Asnjëra nga këto nuk do të kishte përcjellë emocionin që përjetuan fëmijët, mësuesit dhe prindërit e shkollës shqipe në Parma në datën 16 dhe 17 prill. Do të mund të interpretohej si një sakrificë ditore po të mos kishte ekzistuar pasioni me të cilin ky grup i bukur familjesh e vlerëson motivin e rritjes karakteriale dhe kulturore e fëmijëve të tyre, motiv që i shtyn të gjitha të shtunat e vitit të shoqërojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe “Scanderbeg”. Do të mund të interpretohej si një sakrificë koha e mësueseve vullnetare, që sapo mbarojnë punën apo detyrat familjare, vrapojnë në klasë dhe ndajnë me fëmijët dashurinë e gjuhës së rrënjëve. Këtë tjetër detyrë shoqërore dhe kënaqësi njëkohësisht, me pasion, që shpesh i vendos edhe ato vetë në një bankë prove.
Pasion i ngjashëm edhe me një tjetër shkollë shqipe, me të tjerë prindër dhe fëmijë, me të tjera mësuese. Shprehjes së Naimit: “guri i rëndë në tokën e vet” ne mund t’i shtojmë: “mund të gjejë përmasën e duhur edhe në tokë të huaj”.
Do të kisha pasur dëshirë të tregoja si në një reportazh të vërtetë, pa retorikë gjuhësore se shqipja mund të përgjigjet me tonalitete të mrekullueshme po e trasmetove me të njëjtën vijë harmonike të të jetuarit, mekanizmin e bukur të bashkëpunimit që vihet në motor kur të gjithë lëvizin si bletë punëtore në stafetën e organizimit.
Një lidhje nga ato më të natyrshmet, kjo midis shkollës shqipe “Scanderbeg”, në Parma, Itali dhe asaj “ Naim Frashëri” të shoqatës kulturore, në USA, Kombi. Një kontakt midis mësuesesh që kanë kuriozitet për një projekt të përbashkët. Në fund të fundit edhe se shkollat e gjuhëve kanë distanca gjeografike midis tyre kanë afërsi ideali. Po ideali! Ndoshta të tingëllon metaforike ta krahasosh sot jetën me ideale sepse vetëm dikur shoqëria kishte ideale. Nuk është e vërtetë, idealet ekzistojnë gjithmonë, ndoshta trasformohen në optikën njerëzore, marrin forma ekzistenciale sipas kushteve, por nuk zhduken. Të jesh në timonin e një projekti vullnetar ku tema dhe idea shtrihen në të përditshmen e emigracionit konkretisht dhe vullnetarisht, aty ku janë filizat pra fëmijët, është një formë e mrekullueshme ideali. Shkolla e gjuhës tëndeështë vendi ku thuret rrjeta e komunikimit, njohjes, kuriozitetit. Barrikadë për indiferentizmin ndaj kulturës tënde.
Malpensa, avioni mbërrin me një orë vonesë… Alarmohemi se surpriza kishte një afat, një orar, atë të orës së mësimit 15.30. Shkolla fillon të mbushet me femijë. Janë të bukur si vetë pastërtia e shpirtit fëmijëror. Vajzat me flokët e krehur si për festë, djemtë për çudi nuk mungojnë! Mësueset përgatisin materialet didaktive. Këndin e letrarit me libra të shumtë për fëmijë, në gjuhën shqipe. Në një ambjent, përballë klasës ku do të zhvillohet mësimi i hapur, nënat përgatisin një banket. Zgjas kokën se më bëri kureshtare tavolina, nuk kisha parë ndonjëherë një banket shkolle me mbulesa tavoline të punuara me grep dhe të qëndisura si e kishin zakon amvisat shqiptare. Më solli aromë duarsh punëtore, aromën e traditës time, aromë shtëpie. Aida Beqiri, përgjegjësia e banketit nuk kishte harruar vazon me lule si dhe trëndafilat që përmblidhnin cepat e mbulesave. Të kuq si gjaku, si flamuri… si pasioni, si dashuria. U mrekullova dhe mbylla derën që t’i lija të punonin pa i trazuar.
Mesueset e dy shkollave

Kishim të gjithë dëshirë që surpriza e mësimit të hapur me mësueset që kishin mbërritur atë ditë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ishte shëmbullore. Kështu ora e mësimit filloi. midis nesh është edhe drejtoresha e shkollës shqipe në USA, Worcester, Rezarta Reso dhe koordinatorja Aurora Minga. Binjakësia e parë midis shkollave shqiptare të Diasporës. Një takim shumë i rëndësishëm i shkëmbimit të eksperiencës, të programeve didaktive, por mbi të gjitha të ndërhyrjeve dhe lidhjeve midis shkollave të gjuhës amtare shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë.

Prindër me buzëqeshje optimiste, mësuese të përgatitura, por mbi çdo gjë, fëmijë të angazhuar në garën e diturisë. Duar që ngriheshin lart pa dyshimin më të vogël, fjalë që rridhnin në përgjigje pyetjesh, lexime pjesësh letrare, poezish dhe ushtrimesh gramatikore. U fol për jetën e përditshme, për një lidhje efektive midis nxënësve të të dyja shkollave, duke shkëmbyer në një të ardhme adresën e banimit, për të komunikuar duke shkruar në shqip me letra të thjeshta nga një kontinet në tjetrin.
Ndoshta një ditë mund edhe të takohen dhe të flasin për këtë eksperiencë unike që i dhuroi shkolla shqipe. Nuk kishin kohë të shikonin njëri – tjetrin apo të flisnin për gjëra të kota siç ndodh nganjëherë në orët e mësimit kur lodhen. Normale, janë fëmijë! Por nuk donin të humbisnin gjithçka rrodhi përgjatë dy orëve të mësimit të hapur. Duart e Ronit, të Kiarës, të Aminës, të Xhesikës, të Kadifes, të Jorës, të Deborës, Xhevatit apo Ledionit e kështu me rradhë. Sa duar të brishta që lidhën kohën për ta jetuar në emocionin e këtij takimi me prindërit që i dëgjonin pothuajse të hutuar nga kënaqësia që po provonin. Një falenderim, nga komuniteti shqiptar, mësueseve vullnetare të shkollës shqipe “Scanderbeg”, Brunilda Hoxha, Edlira Ndreu, Elvira Lika, Alma Babamusta, Durim Lika, për këtë nismë kaq domethënese në themelet e një projekti afat gjatë të mësimit të gjuhës mëmë.
Anila Kadija koordinatore e shkollës shqipe në Parma

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut

Loading...
Per me teper klikoni me siper ^^^

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button