Kush ishin 40 firmëtarët e Pavarësisë

Shqipëria u vetëshpall e pavarur në Vlorë më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali.

Në shpalljen pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare dhe 40 prej tyre nënshkruan aktin e Pavarësisë.

Ismail Qemal bej Vlora (1844-1919)

Ngriti flamurin në Vlorë. Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Kryetar i Qeverisë së Përkohshme, Ministër i Jashtëm, diplomat, guvernator, atdhetar. Më 28 nëntor, ngriti flamurin shqiptar në Vlorë. Deklaroi në Vlorë pavarësinë e Shqipërisë. Firmosi i pari Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Ismail Kemal”. Në deklaratë shkruhej ; “Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/ 1912. Pas fjalëve që tha z.Kryetari Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një za venduan që Shqipëria më sot të bahet në vehte, e lirë e mosvarme”. Ismail Qemal bej Vlora u zgjodh kryeministër Qeverisë së Përkohshme Ndihmoi lëvizjen e armatosur të shqiptarëve në kryengritjet e përgjithshme të viteve 1910-1912. Më 22 janar 1914 jep dorëheqjen dhe pushtetin ja dorëzon Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Largohet nga Shqipëria për në Itali ku edhe vdes në rrethana të dyshimta më 24 janar 1919.

Dom Nikollë Kaçorri (1862-1917)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Klerik i lartë, atdhetar, patriot dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Mori pjesë në lëvizjen politike-kulturore-kombëtare. Gjatë kryengritjes së Kurbinit 1905-1907, hyri si ndërmjetës midis popullsisë dhe administratës osmane që të shmangte gjakderdhjen. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908) dhe në Kongresin e Elbasanit (1909). Përfaqësues i krahinës së Durrësit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës ku u zgjodh nënkryetar i qeverisë së përkohshme. Firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Kaçorri”.

Vehbi Dibra Agolli (1867-1937)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Klerik i lartë. veprimtar i lëvizjes kombëtare shqiptar, Mori pjesë në vitin 1909 në Kongresin e Dibrës, mbështeti alfabetin me shkronja latine të Kongresit të Manastirit. Më 28 nëntor 1912 në krye të delegatëve të Dibrës, merr pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës ku u zgjodh kryetar i Pleqësisë. Ka luajtur rol të rëndësishëm në organizmin e kryengritjes shqiptare të vitit 1913 kundër pushtimit serb në zonën e Dibrës. Në vitin 1920 mbështeti përpjekjet për rimëkëmbjen dhe demokratizimin e shtetit të pavarur shqiptar.

Jorgji Karbunara – Bab Dud Karbunara (1842-1917)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Atdhetar dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Punoi shumë për hapjen e shkollave shqipe në Berat. Jorgji Karbunara ishte përfaqësues i Beratit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “J. Karbunara”. Në këtë Kuvend, ai u zgjodh anëtar i Pleqësisë.

Elmas Boce (1850-1925)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Mori pjesë në organizimin e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1880. Elmaz Boce, ndihmoi pa kursyer hapjen e shkollës shqipe të Gjirokastrës “Lirija”. Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Elmas Boce”

Qazim Kokoshi (1882-1945)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar për përhapjen e gjuhës shqipe, patriot, njeri me bindje dhe pikëpamje demokrate. Zgjidhet delegat i Vlorës në Kuvendin e Gërçes në vitin 1911. Merr pjesë në kuvendin e Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Qazim Kokoshi”. Në vitin 1921, zgjidhet deputet i qarkut të Vlorës në Këshillin Kombëtar. Regjimi komunist e arreston dhe burgos. i izoluar në hetuesinë e Vlorës, vdes nga torturat.

Jani Minga (1872-1947)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i shkollës shqipe, i Rilindjes Kombëtare dhe i lëvizjes demokratike 1920-1924. Ishte ndër nismëtarët e hapjes së klubit patriotik “Labëria” dhe të shkollës së parë shqipe në Vlorë (1908). Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “J. Minga”.

Rexhep Mitrovica (1888-1960)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare, intelektual, deputet, ministër, kryeministër. Mori pjesë si delegat i Pejës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe ishte njeri nga nënshkruesit e deklaratës së Pavarësisë. Një nga themeluesit e Partisë Kombëtare (1914), anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Zgjidhet senator i Kosovës në Këshillin Kombëtar të Lushnjes.

Dhimitër Tutulani (1875-1937)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare. Në nëntor të vitit 1912, zgjidhet delegat i Beratit në Kuvendin historik të Vlorës, ku nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë, me siglën “Dh. Tout.”. Në vitin 1918 ishte delegat në Kongresin e Durrësit dhe në vitin 1920 në Kongresin e Lushnjes. Në vitin 1925 kreu detyrën e kryetarit të Bashkisë së Beratit.

Abas Dilaver (Çelkupa) (1850 – 1926)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare. Gjatë viteve 1905-1907 u lidh dhe bashkëpunoi me atdhetarët e njohur të asaj kohe si Dom Nikoll Kaçorri etj. Priti në Durrës Ismail Qemalin e më pas, bashkë me delegatët që e shoqëronin atë, mori pjesë në mbledhjen e parë Kuvendit të Vlorës. Delegat i Durrësit, Deklaratën e Pavarësisë, e firmosi me siglën “Abas Dilaver”.

Shefqet Dajiu (1882-1946)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i përhapjes së gjuhës shqipe dhe i lëvizjes kombëtare. Në nëntor të vitit 1912, zgjidhet si përfaqësues i Elbasanit në Kuvendin historik të Vlorës për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Shefqet Daji”. Në vitet 1920-1923 është deputet i Elbasanit në parlamentin shqiptar. Shefqet Dajiu arrestohet dhe burgoset në vitin 1945. Vdes në burg në vitin 1946.

Xhelal Koprencka (1876-1919)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Nismëtar për hapjen e shkollave shqipe në vitin 1908 në Skrapar, veprimtar i lëvizjes kombëtare për pavarësi. Zgjidhet delegat i Skraparit në Kuvendin e Vlorës dhe ishte një nga 40 firmëtarët e Aktit të shpalljes së Pavarësisë kombëtare në vitin 1912, dhe firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Xhelal Ko.”. Zgjidhet anëtar i Pleqësisë.

Hajredin Cakrani (1860-1940)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Në vitet 1908-1909, bashkëpunoi ngushtë me klubet atdhetare “Labëria” të Vlorës dhe të Filatit. U zgjodh delegat i Mallakastrës në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor të vitit 1912, ku firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Hajredin Cakrani”. Pjesëmarrës në luftën e Vlorës kundër pushtuesve italianë.

Iljaz Vrioni (1882-1932)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Nën-kryetarit i Lidhjes së Prizrenit, deputet, ministër, kryeministër. Në nëntor të vitit 1912 zgjidhet delegat i Beratit në Kuvendin historik të Vlorës, ku nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë, me siglën “Iljas Vrijon”. Në vitin 1920, zgjidhet delegat i Beratit në punimet e Kongresit të Lushnjës. Katër herë Kryeministër i Shqipërisë dhe disa herë si Ministër i Jashtëm dhe si Ministër i Plotfuqishëm i Shtetit Shqiptar në Paris.

Murad Toptani (1867-1918)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Poet, publicist. Mori pjesë në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor 1912 si delegat i Tiranës dhe firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Murad Toptani”. Pas rënies së qeverisë së Vlorës, Esat Pashë Toptani (kushëri i tij), i dogji shtëpinë dhe një pjesë të madhe të pasurisë së tij që ndodhej brenda saj si: libra, korrespondencën, antikuarë.

Luigj Gurakuqi (1879-1925)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare, ministër, deputet, gjuhëtar, poet, publicist. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908), ku u zgjodh edhe anëtar komisioni për njehsimin e alfabetit. Pjesëmarrës në kryengritjen e malësorëve të Mbi Shkodrës dhe bashkë hartues me I. Qemalin i Memorandumit të Greçës. Gjatë vitit 1912, ishte ndër organizatorët e kryengritjes së përgjithshme. Në Kuvendin e Vlorës për shpalljen e pavarësisë, si përfaqësues i Shkodrës, firmosi Deklaratën e Pavarësisë nën siglën “Luz Gurakuqi”. Ministër i Arsimit në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris. Deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar dhe përsëri përfaqësues i Shkodrës në Kuvendin Kushtetues në vitin 1924. Ministër i Financave në qeverinë e Nolit. U vra në Bari në 2 mars 1925.

Spiridon Ilo (1876-1950)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Patriot, atdhetar. Shoqëron Ismail Qemalin në udhëtimin Trieste-Durrës-Vlorë. Merr pjesë në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Spiro T. Ilo”. Në vitin 1914, përfshihet në çetën e Themistokli Gërmenjit në luftimet kundër shovinistëve grekë.

Thanas Floqi (1884-1945)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Jurist, veprimtar i lëvizjes kombëtare, publicist, gjuhëtar, botues, kompozitor, përkthyes. Mori pjesë në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Thanas V. Floqi”. Më pas punoi si jurist në administratën shtetërore në Vlorë.

Lef Nosi (1873-1946)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare, albanolog, studiues, deputet, ministër. Në nëntor 1912 ishte delegat i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Lef Nosi”. Në qeverinë e Ismail Qemalit, Lef Nosi caktohet në detyrën e ministrit. Anëtar i delegacionit shqiptar pranë Konferencës së Paqes në Paris. Në vitin 1945 u burgos dhe dënua me vdekje. U pushkatua në vitin 1946.

Nuri Sojliu (1870-1940)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Mbështeti Kongresin e Elbasanit dhe atë Manastirit, ku mbështeti alfabetin latin të gjuhës shqipe. Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Strugës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Nuri”. Nuri Sojliu mbështeti lëvizjet politike me frymë demokratike të viteve `20.

Ferit Vokopola (1887-1967)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Teolog, ekonomist, poet, publicist, ministër, deputet. Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Lushnjes në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “M. Ferit Vokopola”. Ferid Vokopola ishte përfaqësues i Beratit, në Parlamentin shqiptar nga viti 1923-1939. Ministër i Bujqësisë në kabinetin e Iljaz Vrionit (1927-1928).

Ymer Deliallisi (1873-1944)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Shijakut në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Ymer”. Në vitin 1920, përfaqëson nënprefekturën e Shijakut në Kongresin e Lushnjes, ku edhe zgjidhet senator.

Xhemal Deliallisi (1880-1941)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Shijakut në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Xhemmalyyddin bej”. Ngarkohet me detyra në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës dhe më pas në administratën e Princ Vidit.

Mustafa Merlika Kruja (1887-1958)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Deputet, ministër, Kryeministër, albanolog. Si delegat i Krujës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912, firmosi Aktin e Pavarësisë kombëtare, me siglën “Mustafa Asim Kruja” ku u zgjodh dhe anëtar i Pleqësisë. U caktua nënprefekt në Vlorë dhe më pas sekretar i parë i Qeverisë së I. Qemalit. Më 1919 ishte sekretar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Ishte deputet i Kosovës në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1921. Pas ardhjes së komunizmit u detyrua të arratisej. Mustafa Kruja vdiq në SHBA më 27 dhjetor 1958, në moshën 71-vjeçare.

Abdi Toptani (1864-1942)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, ministër. Në vitin 1902 organizoi kryengritjen e armatosur të malësorëve të Shëngjergjit e të Shupalit kundër dhunës së administratës osmane. Në Kuvendin e Vlorës ai firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Abdi”. U zgjodh ministër i Financave në Qeverinë e parë shqiptare.

Veli Harçi (1850-1914)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, intelektual. Veli Harçi ishte një intelektual i formuar. Veprimtar i klubit patriotik të qytetit, ai përfaqësoi Gjirokastrën në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Veli Harçi”.

Nebi Sefa (1861-1942)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar. Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1911 dhe 1912. Në nëntor të atij viti u zgjodh delegat i Lushnjes për në Kuvendin e Vlorës. Ku nënshkroi Aktin e Pavarësisë me siglën “Nebi Sefa Lushja”. Në vitet `20 përkrahu kursin politik të ndjekur prej forcave fanoliane.

Mit’hat Frashëri (1880-1949)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, intelektual, deputet, patriot, ministër. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, më 1908 ku u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit të hartimit të alfabetit. Në Kuvendin e Vlorës, Frashëri ishte delegat i Elbasanit dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Mid’hat Frashëri”. Në qeverinë e Ismail Qemalit zgjidhet ministër i Punëve të Përgjithshme. Në janar 1923 fillon detyrën e ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë, deri në dhjetor 1925. Më 1941 është një nga themeluesit e Organizatës Nacionaliste – Balli Kombëtar. U detyrua në nëntor 1944 të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Nuk u pajtua kurrë me komunizmin. Komunistët e detyruan të birin e Abdyl Frashërit, të ikte nga Shqipëria. Vdiq në New York, SHBA, më 3 tetor 1949.

Zihni Abas Kanina Hamzaraj (1885-1957)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar, ministër. Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1911. Në Kuvendin e Vlorës, si delegat i Vlorës, firmosi në Aktin e Pavarësisë me siglën “Zihni Abbas Kanina”. U zgjodh drejtor i përgjithshëm në ministrinë e Punëve të Jashtme. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, Kanina u bë pjesë e Ballit Kombëtar, përkrah Mit’hat Frashërit. Në vitin 1951 u arrestua dhe u burgosë, derisa vdiq, më 1957.

Qemal Karaosmani Elbasani (1875-1949)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, patriot, deputet. Në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Elbasanit në kuvendin e Vlorës dhe u caktua të shoqëronte Ismail Qemalin nga Durrësi për në Vlorë. Firmosi Aktin e Pavarësisë kombëtare, me siglën “Qemal Elbasani”. Mbështeti qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjes dhe për disa vite ishte asamblist. Ai u persekutua nga regjimi komunist.

Sali Gjuka (1876-1925)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar. Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1910-1912. Si përfaqësues nga Kosova dhe delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, mori pjesë në shpalljen e pavarësisë kombëtare dhe firmosi Aktin me siglën “Salih Gjuka”. U zgjodh këshilltar i Pleqësisë. Në janar 1913 filloi punën si drejtor i arsimit për qarkun e Beratit.

Dhimitër Berati (1888-1970)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, diplomat, ministër. Firmos Aktin e Pavarësisë së 28 nëntorit 1912, nën siglën “D. Beratti”, si delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Berati u emërua sekretar i kryetarit të Qeverisë, anëtar i Pleqësisë si dhe u caktua drejtor i përgjithshëm në gazetën e qeverisë së Vlorës. Në Konferencën e Paqes më 1919 ishte delegat i shqiptarëve të Bukureshtit.

Dhimitër Mborja Emanoil (1884-1945)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912, firmos Aktin e Pavarësisë me siglën “Dh Emmanuel” në emër të kolonisë së Bukureshtit. Në shkurt 1915 zgjidhet këshilltar pranë shoqërisë së “Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit”. Më 1924 mbështet qeverinë e Nolit. Ishte kundër rregjimit komunist.

Dimitër Zografi (1878-1945)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar. U zgjodh delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit për të marrë pjesë në Shpalljen e Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912 firmosi vendimin e Pavarësisë me siglën “Dimitri Zografi”. Anëtar i Pleqësisë. Kundërshtoi vendimet e padrejta të Konferencës së Parisit në kurriz të popullit shqiptar dhe firmosi protesta drejtuar kryesisë së saj në qershor 1919.

Pandeli Cale (1879-1923)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar, ministër, deputet. Në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1910 – 1912 drejtoi çetat e zonës së Korçës. Merr pjesë në mbledhjen e Bukureshtit të 5 nëntorit 1912 dhe shoqëron Ismail Qemalin për në Shqipëri. Më 28 nëntor 1912, si delegat i Korçës, firmos Aktin e Pavarësisë me siglën “Pandeli Cale”. Zgjidhet anëtar i qeverisë së parë shqiptare. Merr pjesë aktive në lëvizjen patriotike që çoi në Kongresin e Lushnjes më 1920. Po atë vit ishte Prefekt i Korçës, ndërsa në shkurt 1921 deputet në të parin parlament shqiptar.

Bedri Pejani (1885-1946)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Delegat në Kongresin e Dytë të Manastirit (1910) dhe sekretar i Komitetit të Kosovës (1918-1924). Në nëntor 1912, mori pjesë si përfaqësues i Plavës, Gucisë, Gjakovës dhe Pejës në mbledhjen e Vlorës dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Bedri Pejan”. Në vitin 1943 ishte nga nismëtarët për krijimin e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit” dhe deri në vitin 1944 kryetar i saj. Pas luftës u arrestua në Shqipëri. Vdiq sapo doli nga burgu, në vitin 1946.

Qemal Mullaj (1881-1966)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar, deputet. Si delegat i Lushnjës, në nëntor 1912 mori pjesë në Kuvendin historik të Vlorës dhe firmosi Aktin e shpalljes së Pavarësisë me siglën “Qem. Mullaj”. Pas rënies së qeverisë së Vlorës dhe me nisjen e Luftës i Botërore u largua nga Shqipëria. U kthye në atdhe rreth vitit 1920, për t’u rimarrë përsëri me politikë. Deputet në parlamentin e parë shqiptar.

Dr. Myrteza Ali Struga (Dibra) (1876-1937)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, mjek, patriot. Në nëntor të vitit 1912, Dr. Myrteza Ali Struga, së bashku me Zyhdi Ohrin dhe Nuri Sojliun u zgjodhën delegatë të Ohrit e Strugës për në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Dr. H. Myrteza Aliu”. Përsëri si përfaqësues i Ohrit e Strugës ishte delegat në Kongresin e Lushnjës më 1920.

Aristidh Ruci (1875-1950)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar. Merr pjesë në kryengritjen e përgjithshme më 1911. Ishte delegat i Vlorës në Kuvendin që shpalli pavarësinë dhe firmosi Aktin me siglën “A. Ruci”. U zgjodh anëtar i kryesisë së Bankës Kombëtare Shqiptare më 1937.

Zyhdi Ohri (1872-1938)

Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar, senator. Në vitet 1898-1900 u përfshi në veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare të Pejës. Në nëntor 1912, i zgjedhur nga Ohri si delegat, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Zuhdi Ohri”. Ishte pjesë e Senatit të dalë nga qeveria e Ismail Qemalit. Në janar 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës.<

Viti 1913/ Fotografi të rralla me ngjyra të Prizrenit dhe Prishtinës

Disa fotografi të rralla me ngjyra të Prishtinës dhe Prizrenit të vitit 1913 janë publikuar në një faqe në Facebook, si pjesë të koleksionit “Shqipëria me ngjyra”.
Faqja “Fotografitë që kanë bërë historinë” ka përditësuar koleksionin e Albert Kahnit që përbëhet me 50 fotografi të qyteteve shqiptare një vit pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
“Në vitin 1909 bankieri milioner francez dhe filantropisti Albert Kahn ndërmori një projekt ambicioz për të krijuar një koleksion fotografik të popujve, dhe për popujt, e botës. Si idealist dhe internacionalist, Kahn besonte se mund të përdorte procesin e ri të autokromit, sistemi i parë fotografik në botë me përdorim të thjeshtëzuar dhe në ‘true-colur’, për të promuovuar paqen, shkëmbimin kulturor dhe mirëkuptimin ndërmjet popujve”, thuhet në përshkrimin e albumit të fotografive.
“Kahn përdori pasurinë e tij të madhe për të dërguar një grup fotografësh në më shumë se pesëdhjetë vende përreth botës, ndër të cilat edhe Shqipëria, vende të gjendura në një moment kritik të historisë së tyre, ku kulturat shekullore ishin në kohë transformimesh të mëdha e të pakthyeshme nga lufta dhe nga marshimi i globalizimit të shekullit të njëzetë. Ata dokumentuan në “true colour” shembjen e Perandorise Austro-Hungareze dhe asaj Otomane apo ushtarët e Luftës së Parë Botërore në transhe, ndërsa gatuanin apo lanin uniformat prapa vijës së luftës.Misioni i parë i Arkivave të Planetit i planifikuar nga profesori Zhan Bryn (Jean Brunhes, 1869-1930) ishte për në Ballkan”, thuhet në përshkrim.
Rrugëtimi i saktë i misionit nuk është plotësisht i qartë, mirëpo dimë se Zhan Bryn dhe Ogyst Leon ndodheshin në Bosnje menjëherë para shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike në fillim të tetorit 1912 dhe fotografuan Banja Llukën, Jajcën, Mostarin dhe Sarajevën.
“Udhëtimi i tyre në Kosovë u krye në maj të vitit 1913 ku u bënë autokroma në Prishtinë, Graçanicë, Lipjan dhe Prizren. Prej Kosovës ekipi vazhdoi rrugën nga Shkupi për në Selanik, ku Leoni bëri gjashtëdhjetënëntë fotografi me ngjyra të qytetit, dhe prej Selanikut ata udhëtuan për në Bursë në Azinë e Vogël. Misioni në Shqipëri u zhvillua në vjeshtë të atij viti. Bryn dhe Leon erdhën prej Malit të Zi në Durrës më 16 tetor 1913 apo rreth kësaj date”, shkruan koha.net.
“Kjo, të paktën, është data e autokromave të para aty. Nga Durrësi kaluan lumin Erzen, të mbrojtur nga Esad Pashë Toptani (1864-1920) dhe arritën në Tiranë ku qëndruan dy ditë. Nga Tirana, u kthyen në Durrës dhe sigurisht me një anije vazhduan rrugën për në Tivar në Malin e Zi për të përfunduar në Shkodër më 21 tetor 1913. Shkodra, fortesa e fundit e Osmanllinjve në Ballkan, kishte rënë në duart e forcave malazeze më 22 prill 1913 dhe gjatë luftimeve një pjesë e madhe e qytetit të vjetër u shkatërrua. Më 22 tetor 1913, ekipi vazhdoi rrugën drejt veriut për në Rijekë dhe Cetinje, kryeqytetin e vjetër të Malit të Zi. Autokromat e mahnitshme të koleksionit Kan – 97 fotografi të hershme me ngjyra të Shqipërisë dhe 94 fotografi të Kosovës nga të cilat kemi bërë një përzgjedhje e cila paraqitet këtu për herë të parë – janë unikale në historinë e fotografisë shqiptare dhe ballkanike. Ato shkëlqejnë si xhevahirë të paçmueshëm në ëndrrën shumëngjyrëshe të Alber Kanit, në Arkivat e Planetit”, thuhet në përshkrimin e këtyre fotografive.
Burimi: thealbanian.co.uk
v.l/Dita

Basha liroi kriminelë nga burgjet për vota, faksimile e kabllogramit të SHBA

Lulzim Basha ka dalë dje dhe ka akuzuar (edhe pse pa asnjë provë konkrete) të gjithë kundërshtarët e tij si të inkriminuar. Kjo sipas tij ishte arsyeja e humbjes së tij në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Por, paradoksalisht, është vetë Basha i cili në 2009 kur ishte kandidat për deputet në Elbasan dhe ministër i Jashtëm, sipas kabllogrameve të Ambasadës së SHBA në Tiranë, ka ndërhyrë për lirimin e një krimineli nga burgu, në këmbim të mbështetjes në zgjedhje.
Në kabllogram shkruhet saktësisht: “..Ministri i Jashtëm Basha, i cili përfaqësoi PD-në në Elbasan, është përfshirë në lirimin e një krimineli të famshëm në Elbasan në këmbim të mbështetjes së familjes së tij…”
Kjo është provë e SHBA-ve, të cilës Basha duhet t’i japë përgjigje, përpara se të akuzojë pa prova.
Kabllogrami amerikan i 13 gushtit 2009:
Kabllogrami në fjalë ka titullin “Kriminelët bëjnë ligjin në parlamentin shqiptar” dhe mban datën 13 gusht 2009. Është firmosur nga ish-ambasadori Uidhers dhe marrësi është Departamenti i Shtetit Amerikan. Statusi i kabllogramit është “material i klasifikuar” dhe ndër të tjera shkruan: “..Ministri i Jashtëm Basha, i cili përfaqësoi PD-në në Elbasan, është përfshirë në lirimin e një krimineli të famshëm në Elbasan në këmbim të mbështetjes së familjes së tij…”./ lexo.al

Miratohet vendimi: Ndalohet importi i makinave të prodhuara para 2009

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që ndalon importin e automjeteve të përdorura që kanë më shumë se 10 vite që janë prodhuar.
Vendimi parashikon se me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, në përputhje të plotë me legjislacionin kombëtar për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis si dhe për vlerësimin e cilësisë së ajrit të mjedisit e kërkesat për disa ndotës në lidhje me të dhe në varësi të kategorizimit të automjeteve sipas peshës e kohës së përdorimit, lejohen të regjistrohen për herë të parë për qarkullim në territorin e Republikës së Shqipërisë, mjetet motorike dhe automjetet, të cilat plotësojnë kushtet e mëposhtme:
-Autoveturat e reja me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 5, të Bashkimit Evropian;
-Mjetet motorike të tjera të reja si motorë, autobusë, kamionë të kategorive M2 dhe N1, me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 5, të Bashkimit Evropian;
-Autoveturat e përdorura (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 4) duhet të jenë prodhuar jo me shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri;
-Mjetet motorike të tjera të përdorura si motorë, autobusë, kamionë, të kategorive M2 dhe N1, (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 3) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.
Vendimi parashikon se  automjetet të cilat kanë hyrë në territorin shqiptar para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, por nuk kanë përfunduar procedurat e regjistrimit, kanë afat deri në 1 mars 2019, për kryerjen e procedurave të nevojshme, shkruan scan tv.

Kur do të filloni të jeni vërtetë Opozitë!?

Nga Ben Andoni
Ka një kënaqësi të madhe nga kundërshtarët e z.Rama për batakun, ku po përfundon qeverisja e tij. Më shumë se fillim për të menduar për qeverisjen e tyre të ardhshme duket se është padurim për të fituar kohë e humbur. Që do të thotë në kuptimin e ngushtë të paartikuluar  para dhe influencë. Brenda këtyre dy koncepteve rrotullohet gjithçka që mbulohet me retorikat e bukura, që na përcolli deri më tani kryeministri i vendit me shpurën e tij. Falë një atributi të radhë që ka për qesëndinë dhe bejtet dhe që vetë z.Rama, e përmend pa modesti, parlamenti i këtyre dy legjislaturave është kthyer në nivelet më të dobëta, që ka pasur në vetë 30 vitet demokraci. Por, jo vetëm falë tij, por edhe kryetarit të Opozitës Z.Basha që e imiton në formën më pa substancë dhe patjetër paraardhësi z.Berisha. Ky i fundit tashmë ka pse të qetësohet, pasi barra e skandaleve po bie mbi shpatulla të tjera nga ku mund të kundrojë të gjithë lojën e tij politike.
Opozita e z.Basha është nga më të dobëtat deri më sot, qoftë në formë por edhe në përmbajtje. Duke e nisur nga përmbajtja, opozita e përbërë nga PD dhe LSI, sot, e kësaj dite nuk kanë të kristalizuar boshtin ideologjik,  ku do të mbështeten për aksionin politik, sepse teorikisht janë shumë larg njëra-tjetrës. Nga ana tjetër, PD-ja, ka probleme të mëdha të brendshme, që lidhen me zgjedhjet në struktura, por edhe me respektin e instancave. Sa i përket formës, ajo në përgjithësi i ngjet asaj që bëri Rama, pra duke i besuar show dhe demagogjisë denigruese, duke përdorur dhe fjalor shumë kërcënues dhe duke braktisur parlamentin. Kësaj i është shtuar dhe përpjekja për ta dobësuar PS-në me anë të skandaleve të njëpasnjëshme të përgjimeve.
Për të ardhur keq është se të njëjtat struktura që furnizojnë sot PD-në do t’i shërbejnë në të ardhmen PS-së, pasi në thelb, ato nuk dinë detyrat kushtetuese, që së pari duhet t’i shërbejnë vendit tonë. Ky është mjerimi më i madh i shtetit tonë, ku organet e drejtësisë, shërbimeve, policisë, veprojnë si nënstruktura partish.
Ndaj, ndodh që shërbimet tona informative dhe burimet e policisë, të politizuara në thelb, me qejfmbetjet më të thjeshta shërbejnë në anën e kundërt. Që do të thotë se kjo krizë shtetformimi demokratik do jetë dhe për dekadën e ardhshme, paçka rezultateve të Reformës në Drejtësi, që po lë  shumë për të dëshiruar.
Ajo që njerëzit pritën dhe besonin te z.Basha ishte se ndërgjegjësimi i tij do ishte përveç de jure dhe de facto si kryetari i opozitës. Kjo do të thoshte se së pari duhej të mendonte si kryeministër në hije i vendit. Të niste një retorikë të re pa denigrim, që t’i shkonte fytyrës së Shqipërisë së ardhshme, ku mendojmë se do të futemi; të shpërfaqte një vizion real për ekonominë e vendit duke e centralizuar dhe shpëtuar nga monopolet; si edhe të afronte besim. Këto janë gjëra thjeshta, por shumë të vështira të realizohen me atë nivel, ku ndodhet sot Opozita me kërcënimet e frikshme, e që defiçensat e saj i përcjell me ulërima dhe fyerje. Ajo që mbetet për njerëzit pas trishtimit të madh është një dhe vetëm një gjë: Kur do të silleni realisht si opozitë?! (Javanews)